2016-07-02 15:52:00

Papa: masakra në Dacca është barbari kundër Zotit e njerëzimit


Papa shprehu dhimbjen e tij të thellë për masakrën e kryer në Dacca të Bangladeshit. Në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e quan masakrën “dhunë pa pikën e kuptimit, kryer kundër viktimave të pafajshme” e “akt barbarie kundër Zotit e njerëzimit”. Më pas ia beson të vdekurit mëshirës së Zotit dhe siguron  se lutet për familjet  e viktimave si dhe për të plagosurit. Ndërkaq Shteti i vetëshpallur Islamik e ka pranuar autorësinë e këtij akti të ri barbar, tejet të dhunshëm.

Janë të paktën 20, e të gjithë të huaj, të vdekurit e sulmit terroristik, që përfundoi me një blitz të policisë bengaleze mbrëmë, në një restorant të Dacca-s, kryeqytet i Bangladeshit. 13 të plagosur u mbartën menjëherë në spital. Ndërmjet tyre, edhe njëri nga terroristët; të tjerët - nëntë vetë, të gjithë të rinj, sipas dëshmive të para - u vranë në ndeshjen me forcat e rendit. Viktimat u prenë fyt e ata, që nuk i dinin përmendësh versetet e Kuranit, u torturuan mizorisht. Të paktën 11, italianët e pranishëm në çastin e sulmit. Lajmi vërtetohet nga Ministria e jashtme italiane, ndërsa emrat  e  italianëve të vrarë do shpallen pasi të njoftohen më parë familjet:

Italia nuk tutet përballë çmendurisë së atyre, që dëshirojnë ta dizintegrojnë jetën e përditshme – u shpreh kryeministri italian Renzi – duke kujtuar edhe atentatin e Tunizisë. Ja edhe fjalët tij:

“Ne e kemi për detyrë të përgjigjemi me vendosmëri edhe më të madhe në mbrojtje të vlerave tona, për të cilat jemi krenarë: në mbrojtje të vlerës së lirisë, të ballafaqimit! Vlerat tona janë më të forta se fobitë e tyre”.

Po pse strategjia e terrorit këtë herë goditi Bangladeshin? Pyetëm Bernardo Cervellerën, drejtor i agjencisë AsiaNews:

Përgjigje: - Ishte, pa dyshim, një përpjekje nga ana e Shtetit të vetëshpallur Islamik për të hapur fronte të reja e, posaçërisht, për të shtuar radhët e militantëve. Vendet perëndimore shkojnë në Bangladesh e investojnë, sepse ka shumë krahë të lirë pune, e kjo e josh shumë edhe Is-in. Prej këndej shkon edhe ai në Bangladesh, për të gjetur militantë të rinj e fronte të reja për sulme barbare. Është strategji terrori, e financuar nga vendet e Gjirit, e posaçërisht, nga Arabia Saudite, që po rrit një brezni, e cila  beson se Islami është në rrezik e, prej këndej, i shikon ateistët si armiq e fetë e tjera, si kundërshtare që duhen shkatërruar plotësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.