2016-07-02 16:26:00

Pushimet verore të Papës


Duke ndjekur audiencën e përgjithshme të jashtëzakonshme jubilare të enjten e kaluar, me Papën, kujtuam se ishte e fundmja, para pushimeve verore. E kur shqiptojmë fjalët “pushime verore”, mund të na shkojë mendja se Françesku po bën gati valixhen për t’u nisur në Alpet italiane a në Kastel Gandolfo, ku i kemi ndjekur me vjet papët në pushimet e tyre, të merituara, verore. A, ndoshta, edhe në Argjentinën e tij.

Po Françeskut nuk i pëlqen të lëvizë nga Vatikani, edhe atëhere kur vapa bëhet e padurueshme. Pushon, atje ku punon. A më mirë të themi, punon, atje ku pushon. Prej këndej vërtet do të ndërpriten audiencat e përgjithshme e të jashtëzakonshme e edhe ndonjë veprimtari publike, por Papën do ta kemi në Vatikan e do ta shikojmë përsëri çdo të diel, në dritaren e Bibliotekës së tij mbi Shesh, duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot. Me përjashtim të së dielës, 31 korrik, kur Françesku do ta kremtojë Engjëllin e Tënzot në Krakov, ku do të jetë për Ditën Botërore të Rinisë (28- 31 korrik).

Simbolike, prania e Atit të Shenjtë sot, në lutjen e së dielës, me temë: “Dishepujt, kasnecë të shëlbimit”.

“Krishti na thërret për të na dërguar. Të jesh dishepull i Krishtit nuk është privilegj për vete, por shërbim për mbretërinë e Zotit! Jezusi i dërgon dishepujt e Tij për të kumtuar se Mbretëria e Zotit është pranë e mbi të gjitha, në zemrat tona; misioni duhet parë si kumtim shprese; Kryqi, si lumni e misionarit, jo si sukses, por si besnikëri ndaj Krishtit, me shpirtin e gatshëm për t’u flijuar për Të -  gjithë këtë kujtoi sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në një ditë të përvëluar vere që, megjithatë, nuk i trembi besimtarët nga anë e anës për ta ndjekur, si të ishte një ditë e freskët pranvere. Për Sheshin e Shën Pjetrit s’ka stinë tjetër, veç asaj të takimit të besimtarëve, që nuk mungojnë kurrë, me Papën.








All the contents on this site are copyrighted ©.