2016-06-28 14:26:00

Sot, festë për Benediktin XVI, me Papën Françesku


Sot Papa Benedikti XVI kremtoi, me Papën Françesku e me mbarë Kishën, një festë vërtetë të madhe: 65 - vjetorin e meshtarisë. Festa u mbajt në Pallatin Apostolik, ku Papa i nderit arriti në orën 12.00. Hyri në Sallën Klementine i pritur me duatrokitje të stuhishme. Niste, kështu, natën e Shën Palit e të Shën Pjetrit, një kremtim, që e ka festuar vetëm një papë tjetër: Leoni XIII, në fillim të shekullit të kaluar.

Ishte data 29 qershor 1951, kur Joseph Ratzinger shugurohej meshtar, së bashku me vëllain e madh, George. Papa Françesku, autor i hyrjes së vëllimit, që përmbledh shkrimet e Benediktit kushtuar meshtarisë, me këtë rast i drejtoi paraardhësit të tij, një fjalim prekës, që përmbledh gjithë bukurinë dhe përkushtimin e meshtarisë.

Fjalët e para që i drejtoi Papa Bergoglio Papës Ratzinger, ishin:

“Sot po kremtojmë historinë e një thirrjeje, nisur gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë, me shugurimin meshtarak, kremtuar në Katedralen e Freising, më 29 qershor 1951”.

Më pas Françesku shfletoi një nga faqet më të bukura, shkruar nga Benedikti, kushtuar meshtarisë, në të cilën nënvizohet se, në orën përfundimtare të thirrjes së Simeonit, Jezusi, duke e shikuar ngultas, në fund i bën një pyetje të vetme: “A më do?”. Sa e bukur dhe e vërtetë është kjo - vijoi Françesku - sepse pikërisht këtu Ai na flet, e me këtë "A më do?", na e beson kullotën, sepse vetëm po të kemi dashuri për Zotin, Ai mund t’i kullotë delet e tija përmes nesh (Gjn 21,15-19). E kjo është shenja  dalluese e një jete të tërë, të shkrirë në shërbimin meshtarak dhe e një teologjie të vërtetë,  të cilën ai jo rastësisht e quan “kërkim i të dashurit”. E e gjithçka tjetër, vjen pas:

“Këtë ai e dëshmoi gjithnjë e vijon ta dëshmojë  akoma sot: dëshmon, pra, se vendimtare në ditët tona  - me shi a diell - është vetëm kjo: që Zoti të jetë vërtet i pranishëm, që ta dëshirojmë, të jemi shpirtërisht pranë tij, të besojmë thellësisht në të e, duke e besuar, edhe ta duam me të vërtetë.  Kjo dashuri ta mbush përplot zemrën, ky besim  të bën të ecësh i sigurt e i qetë mbi ujëra, edhe në mes të stuhisë, pikërisht ashtu si i ndodhi Pjetrit”.

Kjo dashuri e ky besim - pohoi Françesku - na ndihmon ta shikojmë ardhmërinë jo me frikë, as me nostalgji, por me gëzim, edhe në vitet e shtyra të jetës sonë.

E në vijim, me fjalë prekëse, drejtuar gjithnjë Papës së nderit, Françesku theksoi:

“Duke e jetuar e duke e dëshmuar kështu gjithë thellësi e dritë këtë gjë vërtetë vendimtare e duke i pasur sytë e zemrën drejtuar kah Zoti, Ju, Shenjtëri, vijoni t’i shërbeni Kishës, nuk pushoni së kontribuari me zell të vërtetë e dije të thellë për rritjen e saj”.

Dhe këtë - siç theksoi Françesku – Papa i nderit e bën nga manastiri i vogël Mater Ecclesia, në Vatikan, që  dëshmon, kështu, se nuk është aspak një nga skutat e harruara, në të cilat kultura e hedhurinës synon t’i flakë njerëzit kur, me kalimin e moshës, forcat e tyre ligështohen.

Me Ju është krejt e kundërta – vijoi Françesku - gjithnjë duke iu drejtuar Papës Ratzinger -  e më lejoni që këtë t’jua them unë, pasardhësi Juaj, që zgjodhi emrin Françesk. Sepse udha shpirtërore e Shën Françeskut nisi në Shën Damian, por vendi vërtet i dashur, zemra e Urdhërit, që rreh fort, ku e themeloi e së fundi ia dorëzoi edhe jetën e tij Zotit, ishte Porciunkola, “pjesa e vogël”, skuta pranë  Nënës së Kishës, pranë Marisë  që të gjitha breznitë e quajnë të lume për fenë e saj e për mënyrën si e jetoi dashurinë me Zotin e në Zotin.

Kështu - vijoi Françesku - Provania Hyjnore deshi që ju, Vëlla i dashur, të arrinit në një vend, që mund ta quajmë pikërisht “françeskan”, nga i cili buron qetësi, paqe, forcë, besim, pjekuri, fe, përkushtim e besnikëri, që më bëjnë mirë e më japin forcë, mua e mbarë Kishës.

Në përfundim, urimi, drejtuar Benediktit …

“ që Ju, shenjtëri, të mund ta ndjeni dorën e Zotit të mëshirshëm, i cili ju mbështet, e të mund të vijoni ta provoni e ta dëshmoni dashurinë e Zotit; e që, me Pjetrin e Palin, të mund të vijoni të galdoni nga gëzimi, ndërsa ecni kah caku i fesë” (krh 1Pt, 8-9,2). 

Ishte një kremtim i thjeshtë, në përkim të plotë me stilin e jetës së Papës Ratzinger. Në këtë ditë shumë të shënuar për të,  rrethohej nga pak miq e dashamirë, që e shoqëruan në jetën e tij të gjatë e të jashtëzakonshme, Papën teolog.

Pas Papës Bergoglio, Benediktin e përshëndetën edhe kardinajtë Sodano e Mueller.

E pikërisht sot Fondacioni Ratzinger, që vijon veprimtarinë e tij falë së drejtës së autorit  për librat e Papës Benedikti e që ka një shumë prej 4 milionë eurosh, iu dorëzua  Papës Françesku, akt që dëshmon qartë unitetin ndërmjet Papës Bergoglio e Papës së nderit.








All the contents on this site are copyrighted ©.