2016-06-27 12:52:00

Papa: Armenisë, kryqe e guxim. Unitet të ri Evropës, pas Brexit


Popullit armen i uroj të ketë “drejtësi e paqe”; Evropës, të gjejë një “bashkim të ri”, duke shmangur rrezikun e “balkanizimit”, ku mund ta shtyjë “Brexit”. Dialog, që preku të gjitha fushat, ky i Papës me gazetarët, që ishin në avion, në kthim nga Armenia. Të shumta, temat, nga marrëdhëniet ekumenike, tek prania e Papës së nderit në Vatikan; nga krijimi i një komisioni për diakoneshat, tek përdorimi i termit “genocid” lidhur me shfarosjen e popullit armen në shekullin e kaluar.

“Nuk dija fjalë tjetër. E sidomos, nuk kishte kuptim të heshtja, pasi e kisha përdorur edhe më parë. Françesku, Papa i çiltërsisë, ia plotësoi dëshirën gazetarëve, që donin të dinin arsyet e përdorimit të fjalës-tabu, gjithnjë në qendër të vëmendjes, sa herë flitet për vrasjen në masë të armenëve në fillim të nëntëqindës dhe të përgjegjësive turke lidhur me këtë ngjarje tragjike:

“Unë nuk dija ndonjë fjalë tjetër. Unë vij me këtë fjalë. Kur arrij në Romë, dëgjoj fjalën tjetër: ‘E Keqja e Madhe’, ose ‘tragjedia e tmerrshme’, ndërsa në armenisht nuk di ta them. E më thonë jo, se kjo është fyese - kjo e ‘genocidit’- Por pasi dëgjova tonin e fjalës së presidentit e kujtova edhe atë, që kisha thënë unë vetë vitin e kaluar, në Shën Pjetër, publikisht, e do të tingëllonte shumë çuditshëm të mos e thosha të njëjtën fjalë. Po unë desha të nënvizoj një gjë tjetër, e besoj - nëse nuk gabohem - se e thashë: në këtë genocid, ashtu si në dy të tjerët, fuqitë e mëdha e kishin kthyer kokën në një anë tjetër”.

Gurë e dhembshuri  

Armenët Françesku i admiron për guximin, besnikërinë shekullore ndaj fesë së krishterë, aftësinë për të mos e humbur dhembshurinë, bukurinë e artit, në mes të një jete të stolisur me kryqe guri. “Lutem - vijoi - që të gjejë drejtësi e paqe”:

“E di se shumë punojnë për këtë e edhe unë isha shumë i kënaqur javën e kaluar, kur pashë një fotografi të presidentit Putin me dy presidentët, armen e azer; të paktën flasin… E edhe me Turqinë: presidenti i Republikës, në fjalimin e tij të mirëseardhjes foli qartë. Pati guximin të thotë: ‘Të merremi vesh, ta falim njëri-tjetrin e të shikojmë drejt së ardhmes. Po ky është guxim i madh!”.

Brexit, unitet e konflikt

Nuk mund të mungonte një koment i ri i Papës për temën e ditës, Brexit, këtë herë më i plotë, në krahsim me atë, që sa e pati cekur në udhëtimin drejt Armenisë. Një gazetare, angleze, e pyeti nëse është i shqetësuar për faktin se dalja e Mbretërisë së Bashkuar mund të çojë në dizintegrimin e Evropës, e madje, deri në luftë. Për Françeskun, këto erëra me vulë separatiste duhen vlerësuar mirë, për të shmangur - theksoi - rrezikun e ballakanizimit të kontinetit:

“Lufta tashmë është në Evropë! Pastaj ndjehet një frymë përçarjeje, e jo vetëm në Evropë, por edhe në gjirin e vetë vendeve të veçanta. Të kujtojmë Katalonjën; pastaj, vitin e kaluar, Skocinë (…). Për mua uniteti është gjithnjë shumë më i mirë sesa konflikti: gjithnjë! (…) E hapi që duhet të bëjë Evropa për të rigjetur forcën të cilën e ka pasur në rrënjët e saj, është hap  krijimtarie e edhe  ndarjeje të shëndetshme: e kjo do të thotë t’i jepet më shumë pavarësi, më shumë liri, vendeve të Bashkimit”.

Dialogu i ortodoksëve

Temat e aktualitetit ekumenik, që u prekën, ishin të shumta. Para së gjithash, Koncili panortodoks i Kretës, që pas një përgatitjeje dhjetravjeçare, u ndodh para së papriturës, mungesës së disa Kishave, ndërmjet të cilave, Patriarkana e Moskës. Po gjykimi i Papës mbetet i favorshëm:

“Besoj se rezultati do të jetë pozitiv. Mjafton vetëm fakti që Kishat autoqefale u mblodhën në emër të ortodoksisë, për t’u shikuar sy në sy, për t’u lutur së bashku, për të folur e, ndoshta, për të shkëmbyer edhe ndonjë batutë, po ky është pozitivizëm! Unë e falënderoj Zotin. Në të ardhshmin do të jenë më shumë. Bekuar qoftë Zoti!”.

Luteri kishte të drejtë

Një pyetje interesante ishte edhe ajo për kremtimet e 500-vjetorit të Reformës protestante, me rastin e të cilave, pas katër muajsh, Papa do të jetë në Suedi:

“Besoj se ndjetet e Martin Luterit nuk ishin të gabuara - mendon Papa - ishte reformator, ndonëse disa reforma nuk ishin të drejta. Por duhen parë me syrin e periudhës kur u përdorën, duke pasur parasysh edhe korrupsionin që pësonte Kisha në atë periudhë”.

Një Kishë që kërkon falje

Përsa i përket respektit për homoseksualët, Françesku pohoi se askush nuk mund të luajë rolin e gjykatësit dhe citoi Katekizmin, që fton për shoqërimin e udhës së njerëzve në kërkim të Zotit. E shtoi edhe: të krishterët duhet t’u kërkojnë falje për fyerjet jo vetëm homoseksualëve, por edhe të varfërve, grave, fëmijëve të shfytëzuar në punë, e të kërkojnë falje edhe për “bekimin e një mori armësh”.

Është një Papë i vetëm

Françesku pohon se e ka mbi tryezën e punës hamendjen e ngritjes së një komisioni, që të studiojë çështjen e diakoneshave. E më pas, Papa vijoi të flasë me simpatinë e zakonshme për Benediktin XVI dhe rolin e tij si Papë nderi:

“Po ai për mua është Papë nderi, është gjysh i urtë, njeri që më ruan shpatullat e shpinën me lutjen e tij. Nuk do ta harroj kurrë fjalimin që mbajti para kardinajve më 28 shkurt: ‘Ndërmjet jush duhet të jetë  sigurisht pasardhësi im. I premtoj bindje’ - dhe e bëri. Pastaj dëgjova - po nuk e di nëse është e vërtetë kjo, eh? - nënvizoi Françesku - dëgjova, e ndoshta mund të jenë thjesht fjalë,  por i shkojnë shumë për shtat karakterit të tij, se disa shkuan tek ai  për t’u ankuar se ky Papë… E ai i nuk deshi t’i dëgjonte fare, eh? Me stilin më të mirë bavarez: me edukatë, po i nisi në punë të vet. E nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur, eh? Sepse ky njeri është kështu: njeri i fjalës, njeri i drejtë, i drejtë, i drejtë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.