2016-06-24 15:44:00

Papa: me genocidin armen nisën katastrofat e shekullit XX


Të mos biem kurrë më në tmerret e diktuara nga urrejtja, paragjykimi dhe dëshira e shfrenuar për sundim, si ata, që nisën me tragjedinë e genocidit armen. Kjo, thirrja e fuqishme e Papës gjatë takimit me autoritetet politike, Trupin Diplomatik dhe shqoqërinë civile.

Papa foli për genocidin armen, tragjedi me të cilën, për fat të keq, nisi lista  e trishtuar e katastrofave të përbindshme racore, ideologjike e fetare, që do ta errësonin deri në atë pikë mendjen e xhelatëve, sa të synonin zhdukjen e popujve të tërë. 

Në orën 18.30 Papa u takua  me Autoritetet Civile e me Trupin Diplomatik, në Pallatin presidencial. Të pranishëm rreth 240 të ftuar, ndërmjet të cilëve, përfaqësues të shoqërisë civile e të kulturës. Takimi nisi me fjalimin e përshëndetjes drejtuar Papës nga Presidenti i Republikës  së Armenisë, Serzh Sargsyan.

Duke iu përgjigjur, Ati i Shenjtë shprehu gëzimin për këtë vizitë në trojet  e dashura armene, në gjirin e një populli me tradita të lashta e të pasura, që e dëshmoi me guxim fenë, që vuajti shumë, por që diti edhe të ringjallej.

Bukuritë e natyrës e të traditave të Armenisë

Citoi  disa vargje nga “Oda e Armenisë” e poetit të famshëm armen Elise Ciarez Papa, për të kujtuar bukuritë dhe traditat e jashtëzakonshme kulturore dhe fetare të këtij vendi, të cilin poeti e përshkruan me qiellin blu, me ujërat e kthjellta, liqenin e dritës, rrezet e diellit të verës, veriun e mprehtë të dimrit… e gurin mijëravjeçar… e librat e skalitur me stil mbi peta dylli, që u bënë lutje…”.

Tragjedia e “Metz Yeghérn” faqja e parë e historisë së katastrofave

E, në vijim, i shprehu mirënjohjen presidentit për përshëndetjen e mirëseardhjes, duke theksuar se ishte aty për t’i kthyer vizitën që pati bërë në Vatikan vitin e kaluar, i shoqëruar nga autoritetet më të larta të Kishës armene, për të marrë pjesë në përkujtimin e njëqindvjetorit të Metz Yeghérn, “së keqes së madhe”, që goditi popullin armen, duke çuar drejt vdekjes turma të tëra njerëzish.

Me këtë tragjedi fillonte, për fat të keq, lista e trishtuar e katastrofave të përbindshme racore, ideologjike e fetare, që do ta errësonin deri në atë pikë mendjen e xhelatëve, sa të synonin zhdukjen e popujve të tërë.

Roli shpëtimtar i Ungjillit në historinë e armenëve

Prej këndej, Papa  shprehu nderimin e tij të thellë për popullin armen..

“… që, i ndriçuar nga drita e Ungjillit, edhe në çastet më tragjike të historisë së tij, diti të gjejë, në Kryqin e në Ngjalljen e Krishtit, forcën për t’u ringritur në këmbë e për të rifilluar me dinjitet udhën. E kjo tregon sa të thella janë rrënjët e fesë së krishterë e sa i pafundëm është thesari i ngushëllimit dhe i shpresës që përmban”.

Më pas, një mësim historie. Papa kujtoi shekullin e kaluar, urrejtjen, paragjykimet dhe dëshirën e shfrenuar për sundim, duke uruar që njerëzimi të nxjerrë mësim prej kësaj përvoje, për t’i parandaluar tmerre të tilla në të ardhmen.
E për këtë, Françesku kërkoi angazhimin e të gjithëve, që në mosmarrëveshjet ndërkombëtare të ketë gjithnjë epërsi dialogu, kërkimi i paqes, bashkëpunimi ndërmjet shteteve dhe angazhimi i vazhdueshëm i organizmave ndërkombëtare, me qëllim që të krijohet atmosfera e nevojshme e besimit për arritjen e marrëveshjeve afatgjata.

Kisha bashkëpunon kurdoherë për epërsinë e vlerave shpirtërore

Ati i Shenjtë pohoi vullnetin e mirë të Kishës katolike për të bashkëpunuar me të gjithë ata, të cilët i kanë për zemër fatet e qytetërimit e të respektit për njeriun, që në botë të  fitojnë epërsi vlerat shpirtërore e t’u çirret maska atyre, që ua përçudnojnë kuptimin e bukurinë”.

Pët t’u arritur kjo, Papa u bëri thirrje të gjithë besimtarëve në Zotin, të bashkojnë forcat për ta izoluar këdo, që e përdor fenë për të çuar përpara plane lufte.

Të ndërmerren nisma, për t’u dhënë fund  konflikteve

Këtu Françesku nënvizoi fort situatën e të krishterëve të cilët, në disa vende, diskriminohen si e ndoshta edhe më shumë se në kohën e martirëve të parë, vetëm e vetëm pse e praktikojnë fenë e tyre, ndërsa një mori konfliktesh, në të katër anët e botës, vijojnë, duke shkaktuar vdekje e emigrime të detyruara popullatash të tëra:

 “Është e domosdoshme, prandaj, që përgjegjësit për fatet e kombeve të marrin me guxim e pa vonesë nisma për t’u dhënë fund këtyre vuajtjeve, duke e bërë kërkimin e paqes, të mbrojtjes e të mikpritjes së atyre, që janë në shënjestër të agresioneve e të persekutimeve, si dhe të promovimit të drejtësisë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, një nga objektivat e tyre të dorës së parë” .

Populli armen i njeh mirë këto situata, e di mirë ç’do të thotë vuajtje, dhimbje e persekutim. E i ruan në kujtesë jo vetëm vuajtjet e së kaluarës, por edhe frymën, që i krijoi mundësitë të fillojë gjithnjë nga a para. Këtë theksoi Papa, duke e ftuar popullin armen t’ia përcjellë këtë kontribut të çmuar mbarë bashkësisë ndërkombëtare.

Drejtësi për të gjithë e solidaritet për më të ligështit e më  të pafatët

Kujtoi edhe 25-vjetorin e pavarësisë së Armenisë Papa, duke i ftuar armenët, në Atdhe e në disaporë, t’i koordinojnë energjitë për të ndihmuar në zhvillimin civil e shoqëror të vendit. Më pas, duke cituar Gjon Palin II,  porosia që në këtë proces të mos mungojë kurrë drejtësia për të gjithë e solidariteti për më të ligështit e më  të pafatët:.

“Historia e vendit tuaj ecën me të njëjtin hap me identitetin e saj  të krishterë. Një identitet i tillë jo vetëm që nuk e pengon laicitetin e plotë të shtetit, por e kërkon dhe e ushqen, duke favorizuar pjesëmarrjen e gjithë anëtarëve të shoqërisë, lirinë fetare dhe respektimin e pakicave. E jo më pak, ndihmon edhe për të kapëcyer konfliktet me disa prej vendeve fqinje, duke përuruar për Armeninë, një epokë të vërtetë ringjalljeje”.

Kisha katolike, vijoi të kujtojë Papa, ndonëse e pranishme në vend me burime të kufizuara njerëzore, është e gatshme të ofrojë kontributin e saj në zhvillimin e shoqërisë, posaçërisht në veprimtarinë e ndihmës për të varfërit e të ligështit në fushën shëndetësore dhe edukative e, sidomos, në atë të bamirësisë.

Vepra e Kishës në Armeni

E këtu Papa kujtoi edhe realizimin e veprave konkrete të Kishës katolike, si spitali “Nëna e Shëlbuesit “në Ashotzk, veprimtaria e institutit edukativ në Yerevan, nismat e Karitasit në Armeni dhe veprat e drejtuara nga kongregatat rregulltare. Fjalimi Papës përfundoi me fjalët:

“Zoti e bekoftë dhe e ruajtët Armeninë, tokë e ndriçuar nga feja, nga guximi i martirëve, nga shpresa, që është më e fuqishme se çdo dhimbje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.