2016-06-24 16:45:00

Brexit: kardinali Nichols, të respektohet vota, tani të ndihmohen të varfrit


“Një kthesë e re historike, e vështirë për të gjithë”: kështu kardinali Vincent Nichols, President i Konferencës episkopale të Anglisë e Uéllsit, e përkufizon skenarin e ri politik dhe ekonomik, që është hapur nga rezultati i referendumit për Brexit, përmes të cilit shumica e britanikëve ka vendosur ta lë Bashkimin Evropian.

Të mbrohen më të varfrit 

Pak orë pas shpalljes së rezultateve, kryeipeshkvi i Westminster-it ka deklaruar se ipeshkvijtë lutën “për ata që janë të impenjuar në detyrën e vështirë të respektimit të vullnetit popullor, shprehur në votime,  që të punojnë me respekt e qytetërim, përballë opinioneve të ndryshme, e të bëjnë në mënyrë që njerëzit më të brishtë të ndihmohen e të mbrohen, posaçërisht ata që janë pre e punëdhënësve të paskrupullt dhe të tregtarëve të qenieve njerëzore”.

Bashkëpunimi ndërkombëtar për kapërcimin e problemeve të sotme

Pasi kujtoi se “tradita e madhe e Mbretërisë së Bashkuar është të respektojë vullnetin e elektoratit, shprehur përmes votës”, kardinali Nichols tha se lutët që “kombet tona të mund të bazohen e të ndërtohen mbi traditat më të mira të bujarisë, të hapjes ndaj të huajve dhe të pritjes së atij që më së shumti ka nevojë për ndihmë”. Deklarata përfundon me këshillin për të “punuar pareshtur për të dëshmuar se jemi fqinj të mirë, të vendosur për të kontribuar e mbështetur përpjekjet ndërkombëtare, për përballimin e problemeve kritike që ka bota e sotme”.

Thirrja e primati anglikan: të jemi ndërtues urash e jo barrierash

E një thirrje drejtuar qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar të jenë të “bashkuar në detyrën e përbashkët të ndërtimit të një vendi bujar e largpamës”, “mikpritës e të dhembshur, ndërtues të urave e jo të barrierave” u bëri edhe nga primati i Bashkimit të Kishës anglikane Justin Welby, i cili i lutët Zotit për liderët britanikë e për ata evropianë që duhet të përballen me “ këtë ndryshim dramatik”.

Të qëndrojmë të rrënjosur në parimet që e kanë bërë të madhe Mbretërinë e Bashkuar

“Vota për daljen nga Bashkimi Evropian – pohon në një mesazh kryeipeshkvi i Kantërbërit – do të thotë se të gjithë duhet ta ri-imagjinojmë atë që domethënë të jesh Mbretëri e Bashkuar, në një botë të ndërvarur, e të cilat janë vlerat e virtytet që duhet t’i farkëtojnë e t’i drejtojnë marrëdhëniet tona me të tjerët”. Welby tërheq vëmendjen mbi shqetësimet e shumë qytetarëve të vendeve tjera që janë rezidentë në Britaninë e Madhe: “ Duhet t’u përgjigjemi duke u ofruar atyre sigurinë, duke u kujdesur për shoqërinë tonë të mrekullueshme që dallohet për shumëllojshmërinë, e duke ripohuar se kontributi i të gjithëve dhe i çdonjërit është unik”. Primati anglikan u kërkon, së fundi, qytetarëve britanik të qëndrojnë të rrënjosur në parimet që e kanë bërë të madh vendin e tyre: “Uniteti, shpresa e bujaria do të na mundësojnë të kapërcejmë periudhën e tranzicionit që tani do të hapet”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.