2016-06-24 11:59:00

Papa Françesku në Armeni: vëllazërimi i krishterë, shpresë për botën e ndarë


Një shtegtim apostolik i ngarkuar me domethënie, etapë e parë e vizitës së Papa Françeskut në Kaukaz, që do të plotësohet, në shtator, me Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin. Papa Françesku shkoi në Armeni 15 vjet pas vizitës  së Gjon Palit II. Shtegtimi i Atit të Shenjtë është përqafim me vendin që, në vitin 301 pas Krishtit, në kulmin e veprimtarisë ungjillëzuese të Shën Gregorit Ndriçues, e shpalli krishterimin fe të Shtetit. Pikërisht 79 vjet para ediktit të Theodosit, me të cilin perandoria Romake e zyrtarizonte fenë në Krishtin, pasi e pati pranuar, në vitin 313, me ediktin e Milanos. Nisi, kështu, një dialog i thellë i Papës, me një vend të plagosur, në kërkim të paqes. E tashmë  Françesku ndodhet në kryeqytetin e Armenisë, Yrevan, ku arriti  në orën 15.00 (13.00 me orën evropiane). Në aeroport u mbajt, menjëherë, edhe ceremonia e mirëseardhjes.

Vizitën e parë në tokën armene, Papa ia kushtoi Katedrales Apostolike të Etchmiadzinit, vend shenjt e dëshmitar i historisë së popullit armen, pragun e së cilës, siç u shpreh vetë Françesku, e kapërceu me emocion të thellë, duke kujtuar përshpirtërinë, që rrezaton kjo shenjtërore  në shekuj e duke e shikuar si dhuratë të çmuar të Zotit, mundësinë që iu krijua për t’iu afruar elterit, nga i cili shndriti drita e Krishtit në mbarë Armeninë.

E menjëherë pas, përshëndetjet drejtuar posaçërisht Shenjtërisë së Tij Karekini II, Catholicos i të gjithë armenëve si dhe klerit, duke i falënderuar të gjithë për mikpritjen plot dashuri e miqësi vëllazërore, Papa tha:

“Në këtë rast solemn falënderoj Zotin për dritën e fesë së ndezur në tokën tuaj, fe që i dha Armenisë identitetin e saj të veçantë dhe e bëri lajmëtare të Krishtit ndërmjet Popujve”.

Këto, fjalët e para të Papa Françeskut drejtuar Armenisë, që kaloi kohë tejet të errëta, të cilave mundi t’u bëjë ballë vetëm falë Krishtit:

“Krishti është lumnia juaj, drita juaj, dielli që ju shndriti e ju dha një jetë të re, që ju shoqëroi e ju mbështeti, posaçërisht në çastet e provës më të madhe”.

Françesku shpaloste, me pak fjalë, disa nga faqet më të errëta të historisë së vendit, duke e përkulur ballin para mëshirës së Zotit, që deshi ta bënte Armeninë, Kombin e parë i cili, që nga viti 301, e pranoi krishterimin si fenë e vet, në një kohë kur në perandorinë romake vijonin persekutime të furishme:

“Feja në Krishtin për Armeninë nuk qe si ndonjë petk, që mund të vishet, por edhe mund të zhvishet, sipas rrethanave e leverdisë, por realitet përbërës të identitetit të saj, dhuratë me vlerë të pamatshme, që duhej pritur me gëzim e duhej ruajtur me impenjim e forcë, edhe me çmimin e jetës”.

Me këtë sy e shikoi Papa Pagëzimin e Armenisë, që u bë pjesë e pandarë   e identitetit armen. Duke cituar, më pas, Gjon Palin II, Françesku kujtoi se “me pagëzimin e bashkësisë armene, lindi identiteti i ri i popullit, që do të bëhej pjesë e pandarë e vetë armenit. Nuk do të ishte e mundur, që asokohe, të mendohej se ndërmjet tipareve të këtij identiteti, mund edhe të mos figuronte feja në Krishtin, si pjesë përbërëse themelore” (Lett. Ap. në 1700 vjetorin e pagëzimit të Popullit armen, 2 shkurt 2001).

Zoti ju bekoftë për këtë dëshmi të ndritshme, që u vulos me martirizimin e bijve të kësaj toke e mbeti një element i përhershëm i historisë së popullit armen, theksoi Papa, që më pas vuri në dukje arritjet e dialogut ekumenik:

“Falënderoj Zotin edhe për udhën e përshkuar nga Kisha katolike dhe  Apostolike Armene përmes dialogut të sinqertë e vëllazëror, me qëllim që të arrijnë në ndarjen e plotë të përbashkët të sofrës eukaristike. Shpirti Shenjt na ndihmoftë për ta arritur këtë bashkim, për të cilin i lutem Zotit, që dishepujt e Tij të jenë një gjë e vetme e bota të besojë”.

Papa kujtoi edhe arritje të tjera të dialogut ndërmjet dy Kishave  në kohë të vona, duke nisur nga Shenjtëritë e tyre Vasken I e Karekini I, nga Shën Gjon Pali II e Benedikti XVI. Ndërmjet etapave më domethënëse të angazhimit ekumenik, Françesku nënvizoi posaçërisht përkujtimin e Dëshmitarëve të fesë të shekullit XX, gjatë kremtimit të Jubileut të vitit 2000; dorëzimin e relikes së Atit të Armenisë së krishterë, Shën Gregorit Ndriçues për katedralen e re të Yerevan-it; Deklaratën e përbashkët të Shenjtërisë së tij, Gjon Palit II dhe të Shenjtërisë së Tij Karekinit II, nënshkruar pikërisht në Etchmiazin, si dhe vizitat e Kreut të Kishës armene në Vatikan, me raste e përkujtime të rëndësishme.

Vështrimi i Papës, në vijim, u ndal mbi botën e sotme, përplot me përçarje e konflikte, si dhe mbi format e varfërisë materiale e shpirtërore, përfshirë edhe shfrytëzimin e njerëzve, deri të fëmijëve e të pleqve, duke theksuar fort se kjo botë pret nga të krishterët dëshminë e nderimit e të bashkëpunimit të anasjelltë, që bën të shkëlqejë para çdo ndërgjegjeje pushteti  dhe  e vërteta e Ngjalljes së Krishtit:

“Angazhimi i ri e durimtar drejt bashkimit të plotë, thellimi i nismave të përbashkëta dhe i bashkëpunimit ndërmjet gjithë dishepujve të Zotit në shërbim të së mirës së përbashkët, janë si një dritë e shkëlqyeshme në zemër të natës së errët, janë thirrje për t’i jetuar me dashuri e mirëkuptim të anasjelltë edhe ndryshimet”.

Fryma ekumenike – vijoi Papa - fiton vlerë të veçantë edhe jashtë kufijve të dukshëm të bashkësisë kishtare: është thirrje e fuqishme drejtuar të gjithëve për t’i kapëcyer mosmarrëveshjet me dialog:

“Kjo e pengon instrumentalizimin dhe manipulimin e fesë, sepse të detyron të zbulosh rrënjët e vërteta, ta komunikosh,  ta mbrosh e ta përhapësh të vërtetën, pa harruar respektin për çdo njeri”.

Këtë vuri në dukje Françesku, duke theksuar, në vijim, se në këtë mënyrë i jepet botës, që ka nevojë urgjente…:

“… një dëshmi bindëse se Krishti është i gjallë e veprues, i aftë për të hapur gjithnjë udhë të reja pajtimi ndërmjet kombeve, qytetërimeve e feve. E vërteton dhe e bën të besueshme se Zoti është dashuri e mëshirë”

Kështu, Papa. E në përfundim kujtoi se kur veprimtaria frymëzohet e vihet në lëvizje nga forca e dashurisë së Krishtit, thellohen njohja dhe nderimi reciprok, krijohen kushte më të mira për një udhë të frytshme  ekumenike  e, njëkohësisht, i tregohet çdo njeriu vullnetmirë si dhe mbarë shoqërisë, udha konkrete për t’u dhënë fund konflikteve, që e rrënojnë jetën civile e krijojnë përçarje, që kapërcehen me shumë vështirësi.

Në përkim të plotë me këtë sintezë të jetës së Armenisë e të mbarë botës, lutja përfundimtare e Françeskut, në takimin e tij të parë me Armeninë, duke nisur  pikërisht nga vendi i saj më i shenjtë: Etchmiadzini:

“O Hyj i gjithëpushtetshëm, Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, me ndërmjetësimin e së Shenjtnueshmes Mari, të Shën Gregorit Ndriçues, ‘shtyllë drite e Kishës armene’ e të Shën Gregorit Narek, Doktor i Kishës, bekoje mbarë Kombin Armen dhe ruaje gjithnjë në fenë, që e mori nga etërit dhe e dëshmoi lumnisht gjatë shekujve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.