Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Pusi i Marisë, qeta e Zotit

Maria, motra e Moisiut, këndon pas kalimit të Detit të Kuq - RV

23/06/2016 13:16

Sot, do të vijojmë t’ju flasim për dhuratën e ujit, bërë nga Hyji për të gjithë njerëzit, nga ku rrjedh detyra e secilit për t’ua shuar etjen vëllezërve, vepër mëshire kjo. Do t’ju flasim për pusin e Marisë, jo të Zojës së Bekuar, por të motrës së Moisiut e të Aronit, për të cilin flet Libri i Daljes dhe ai i Numrave në Bibël. Por do të flasim edhe për ujin e gjallë.

Sipas traditave të lashta judaike, dhurata e ujit në shkretëtirë lidhet veçanërisht me figurën e Marisë. Të gjitha ngjarjet kryesore të jetës së Marisë shoqërohen me ujin. Akoma fëmijë, vërejti nga larg vëllain e saj, Moisiun, të braktisur në një shportë mbi ujrat e Nilit dhe ndërhyu që t’i besohej nënës së vet për t’i dhënë gji e për t’u kujdesur për të. Pas kalimit në mes të ujrave të ndara të Detit të Kuq, këndoi në breg të detit, këngën e fitores: “Le t’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës plandosi në fund t’detit!” (Dal 15,1).

Më vonë, kur populli fushoi në Refidim e po vdiste nga etja, sipas Talmudit hebraik (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës), u duk pusi i Marisë: “Ja se me çfarë ngjante pusi, që i shoqëronte hebrenjtë në shkretëtirë: ngjante me një shkëmb të shpuar si të ishte sitë, nga vrimat e së cilës rridhte uji, sikur dilte nga një shishe. Pusi rrotullohej, ngjitej e zbriste: ngjitej me ta nëpër male, zbriste në lugina; aty ku ndaleshin hebrenjtë, pusi ndalej e rrinte drejt, gjithnjë në përkim me Tendën e takimit. Atëherë, uji ngjitej lart në formë shtylle; çdo princ hapte një brazdë me shkopin e vet dhe e çonte ujin drejt fisit apo familjes së vet” (Tosefta-Sukka 3).

Ky pus e shoqëroi popullin në rrugën e tij në shkretëtirë derisa ishte gjallë Maria. Vërtet, ashtu si uji u dha për meritë të Marisë, kështu, pasi vdiq ajo, u zhduk edhe pusi: “Dhe izraelitët, mbarë bashkësia, arritën në shkretëtirën Sin. Ishte muaji i parë. Populli nguli në Kades. Këtu vdiq Maria dhe qe varrosur në të njëjtin vend. Pasi nuk kishte ujë për popull, u bashkuan kundër Moisiut e Aronit” (Nm 20, 1-2).

Teksti biblik jep një lajm pas tjetrit, pa i lidhur ndërmjet tyre, por sipas literaturës rabinike, kjo lidhje ekziston: “Meqë pusi ishte dhuruar për meritë të Marisë, kur ajo vdiq, pusi u fsheh dhe nuk pati më ujë për bashkësinë” (Targum i Num 20,2). Sipas kësaj tradite, Izraeli merr tri dhurata për meritë të tri figurave të mëdha të Daljes nga Egjipti: pusin, pra, ujin, për meritë të Marisë; shtyllën me re, për meritë të Aronit; manën, për meritë të Moisiut. Por këto dhurata u zhdukën, sapo vdiqën njerëzit, që kishin ndërmjetësuar pranë Zotit për to.

Pas vdekjes së Marisë, pusi u zhduk, por populli vuante nga etja. Atëherë Zoti pati mëshirë për të dhe bëri të dilte ujë nga shkëmbi. Populli nuk mërmëriti më, por këndoi me gëzim: “Gurgullo, o pus! Brohoritni! Pus që e çelën princërit, që e thelluan bujarët me skeptër, me shkopinjtë e tyre”(Nm 21, 17b-18). Pusi ekzaltohet nga kënga e popullit, si burim uji nga më i freskëti e më i bollshmi, që rrjedh nga qielli e zbret deri në ferr. Këto janë ujrat e amshuara, rezervë e pashterrshme force dhe virtyti, feje e shpresë për Izraelin e për të gjithë njerëzit, që shkojnë ta shuajnë aty etjen.

Edhe pseudo- Filoni në “Liber antiquitatum biblicarum” e citon këtë pus: “për dyzet vjet me radhë Ai (Hyji) bëri të burojë një pus, që t’i ndiqte dhe ai i ndoqi në shkretëtirë për 40 vjet…” (L.A.B. 10,7; 11,15). E në një pjesë të Letrës drejtuar Korintasve gjejmë gjurmën e këtij pusi, krijuar që nga zanafilla, që e shoqëronte popullin e Izraelit në shtegtimin e tij deri në Tokën e Premtuar: “Të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte” (! Kor 10,4). Këtu Shën Pali Apostull i referohet interpretimit rabinik të shkëmbit lëvizës dhe e plotëson atë: ajo qetë, pra, ai shkëmb, është Krishti, dhe uji u gjallë, që e shuan vërtet etjen, është ai që rrjedh nga brinja e tij e shporuar në kryq.

23/06/2016 13:16