2016-06-22 15:17:00

Brexit: nesër referendumi për qëndrimin e Britanisë në BE


Rekord regjistrimesh në listat zgjedhore britanike për referendumin e nesërm. Rreth 46 milion e gjysëm zgjedhës janë të thirrur të shprehen për qëndrimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian apo për daljen prej tij, pra, për të ashtuquajturin “Brexit”.

Kryeministri David Cameron u bën një thirrje të fuqishme bashkëqytetarëve për të votuar pro Bashkimit Evropian, pasi dalja do të ishte “e pakthyeshme”. Sondazhet i lënë të hapura të dyja mundësitë, sepse përqindjet janë të përafëta, megjithëse emocioni i ngjallur nga vrasja e deputetes laburiste Jo Cox, përkrahëse e flaktë e qëndrimit në Evropë, mund ta forcojë frontin e “Remain”, pra të atyre që nuk duan të shkëputen nga Brukseli. Sipas kryeministrit Cameron, i cili sot kërkon falje për qëndrimin e tij të dikurshëm antieuropeist, mosdalja e Britanisë së Madhe nga Evropa do ta bënte vendin më të begatë ekonomikisht, më të fortë e më të sigurtë.

Mbetet fakti që Bashkimi Evropian, në këtë çast historik, paraqitet me një politikë të dobët e aspak tërheqëse për masat. Edhe Konferenca e Kishave Evropiane, që mbledh të krishterët ortodoksë, protestantë dhe anglikanë të kontinentit, nënvizon se Evropa ka nevojë për një “vizion të ri”. Në një letër të hapur, Kishat Evropiane kërkojnë të diskutohet mbi të ardhmen e Evropës dhe mbi rolin e Kishave në të. Në letër, referendumi për “Brexit” shihet si shenjë vështirësie e vetë idesë së Bashkimit Evropian. “Zhvillimet në Evropë drejt bashkimit dhe bashkëpunimit më të madh, që vetëm disa dhjetra vite më parë vlerësoheshin kaq shumë, sot janë vënë në diskutim”, shkruhet në tekst. Evropa ndodhet në udhëkryq. Janë të shumta sfidat para qytetarëve, që nga kriza ekonomike dhe euroskepticizmi deri tek emigracioni dhe terrorizmi. Por pikërisht këto sfida, nënvizojnë Kishat Evropiane, u kërkojnë qytetarëve “të punojnë së bashku për të ushqyer shpresën e për të gjetur zgjidhje konstruktive për problemet e përbashkëta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.