2016-06-21 18:00:00

Viedomesazh i Papës për Kongresin VI Botëror kundër dënimit me vdekje


Që sot e deri më 23 qershor mbahet në Oslo të Norvegjisë, Kongresi VI Botëror kundër dënimit me vdekje, takim i organizuar nga “Bashkimi kundër dënimit me vdekje” dhe nga “Koalicioni Botëror kundër dënimit me vdekje”, në bashkëpunim me Ministrinë norvegjeze të Punëve të Jashtme. Në Kongres marrin pjesë 140 organizata nga e gjithë bota. Qëllimi i tij është heqja e detyrimit për ta zbatuar dënimin me vdekje, duke e lënë me ligj këtë vendim në dorë të gjykatësit, i cili mund të vendosë edhe ndryshe. Gjithashtu, synohet edhe kthimi i atyre vendeve, që nuk e zbatojnë dënimin me vdekje, pavarësisht se e kanë, në vende ku ky dënim nuk parashikohet më nga ligji, pra kalimi nga abolicionistë “de facto” në abolicionistë “de jure”.

Pikërisht, pjesëmarrësve të Kongresit të Oslos u drejtohet Papa Françesku, me një videomesazh, në të cilin shpreh vlerësimin për impenjimin e tyre në zhdukjen e dënimit me vdekje. Edhe vetë opinioni publik, nënvizon Ati i Shenjtë, është gjithnjë e më shumë kundër këtij dënimi, edhe aty ku shihet si mbrojtje e ligjshme për shoqërinë.

“Sot, dënimi me vdekje është i papranueshëm, sado i rëndë të jetë krimi i të dënuarit. Është fyerje për pacënueshmërinë e jetës dhe për dinjitetin e njeriut; është në kontradiktë me planin e Zotit për individët dhe shoqërinë, si edhe me drejtësinë e Tij të mëshirshme”. Urdhërimi “Mos vrit”, vijon Papa Françesku, ka vlerë absolute dhe zbatohet si për të pafajshmit, ashtu edhe për fajtorët.

Jubileu i Mëshirës, kujton Ati i Shenjtë, është rast i përshtatshëm për të promovuar në të gjithë botën respektin për jetën dhe për dinjitetin e çdo njeriu. “Nuk duhet të harrojmë – thekson Papa – se e drejta e padhunueshme për jetën, dhuruar nga Zoti, u përket edhe kriminelëve”.

Françesku inkurajon të punohet jo vetëm për zhdukjen e dënimit me vdekje, por edhe për përmirësimin e kushteve në burg, për rehabilitimin e të burgosurve, për integrimin e tyre në shoqëri. Dënimi në vetvete, denoncon Ati i Shenjtë, pa i lënë vend shpresës, është formë torture e jo dënim. Së fundi, Papa uron që Kongresi t’u japë hov të ri përjekjeve për heqjen e dënimit me vdekje dhe u siguron të gjithëve lutjet e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.