2016-06-20 13:48:00

Siri: Patriarku Efrehem II shpëton nga një atentat kamikaze


Patriarku siro-ortodoks Ignatius Efrehem II Karim shpëtoi nga sulmi i një atentatori kamikaze, i cili u hodh në erë gjatë përkujtimit të genocidit otoman kundër të krishterëve asirë (armenë) në Turqi, në fillim të viteve ‘900. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11.00, ndërsa po kremtoheshin Rrëshajët ortodokse, në kishën e Shën Gabrielit në Qamishli, verilindje e Sirisë. Bilanci flet për katër viktima, ndër të cilët kurdë e të krishterë, e shumë të plagosur.

Sipas burimeve siriane, objektivi ishte Patriarku

         Gjatë përkujtimit, kreu 51-vjeçar i bashkësisë siro-ortodokse bekoi monumentin e genocidit, i njohur si masakra e Sayfo-s (Shpatës). Ishin të pranishëm mijëra besimtarë. Dëshimtarët tregojnë se atentatori shpërtheu brenda ndërtesës, duke humbur edhe vetë jetën së bashku me tre të tjerë. Viktimat janë tri rojet e sigurisë asire Sutoro. Së paku pesë, të plagosurit. Tani për tani, askush nuk e ka marrë përsipër autorësinë e atentatit, i katërti kundër bashkësisë asire të Qamishlit, gjatë gjashtë muajve të fundit.

Aramejtë rrezikojnë të zhduken nga Siria

         Personalitete të ndryshme të Kishës e të shoqërisë civile dënuan me forcë atentatin, që synonte goditjen e personalitetit më të rëndësishëm të bashkësisë siro-ortodokse. Federata e Aramejve (Siriakët) kërkon mbrojtjen e bashkësisë ndërkombëtare për aramejtë, që kanë mbetur në atdhe. “Nuk mund të injorohen – nënvizohet në një notë – vajtimet e dhimbshme dhe kërkesat për ndihmë nga një qytetërim në zhdukje e sipër e, njëkohësisht, edhe nga populli i Sirisë”. Qindra mijëra aramej janë larguar nga tokat e tyre, pjesë e një populli, që akoma sot, lufton për njohjen ndërkombëtare dhe për mbijetesën.








All the contents on this site are copyrighted ©.