2016-06-20 14:39:00

OKB-ja: mëse 65 milion vetë detyrohen të braktisin shtëpitë


Mëse 65 milion vetë në gjithë botën detyrohen të braktisin shtëpitë, duke shënuar një nivel të paparë ndonjëherë: ky është alarmi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, me rastin e Ditës së sotme Botërore të Refugjatit. E pikërisht, gjatë orëve të fundit, u mor vesh tragjedia e re në kufirin ndërmjet Turqisë e Sirisë.

 

Një masakër “e padurueshme”, siç e quajti Unicef-i, pasi ndër 8 refugjatët sirianë, të vrarë nga ushtria truke ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin, katër janë fëmijë. “Kushdo qëllon mbi fëmijët, që ikin nga terrori, është kriminel – nënvizoi zëdhënësi i organizatës në Itali – ashtu siç është kriminel edhe ai, që i detyron të largohen nga vendi i tyre”. Koalicioni kombëtar sirian, organ i opozitës kundër presidentit Assad, i ka kërkuar ministrisë turke të mbrojtjes të hapë një dosje hetimore. Muajt e fundit, Ankaraja e ka përforcuar kontrollin përgjatë kufijve, por gjithnjë ka mohuar se qëllon kundër refugjatëve sirianë. Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, që nga fillimi i vitit, janë vrarë në kufi rreth 60 civilë. Ndërkaq, OKB-ja deklaron se për shkak të luftës, mëse 2 milion civilë kanë ikur për në Turqi. Të dëgjojmë zëdhënësin e Këshillit italian për Refugjatët, Christopher Hein:

Këtë vit, sigurisht që Dita e Refugjatëve është mjaft e veçantë. Kësaj radhe mund të kremtojmë shumë më pak se vitet e tjera. Një krizë e paparë refugjatësh ka goditur Evropën. Kuadri i viktimave të semestrit të parë – që ende nuk ka përfunduar – flet për tremijë të vdekur në Mesdhe. Janë njerëz që, nga Afrika e Veriut ose nga Lindja e Mesme, janë përpjekur me të gjitha forcat të vijnë në Itali, por edhe në Greqi e në ishujt grekë. Unë do të quaja më tepër “Ditë kundër indiferencës”. Është tragjike, që viktima mund të ketë edhe sot, nesër e pasnesër. Nuk ka politika, në gjendje ta reduktojnë fenomenin e mbytjeve në Mesdhe. Ne, si Këshill Italian për Refugjatët, ngulim këmbë në përmirësimin e situatës, duke filluar nga sistemi i mikpritjes, nga cilësia e tij veçanërisht, nga shpëtimi në det, për të vijuar pastaj me kujdesin për refugjatët, sepse shpesh harrohet se njerëzit mbeten. Nëse sot investojmë në familjet e refugjatëve, nesër, kjo do të sjellë fryte për ata vetë, por edhe për shoqërinë pritëse. Duhet të dalim nga këndvështrimi i emergjencës së vazhdueshme. Duhen hapur kanale humanitare për të mos rrezikuar jetën në det e për të mos lejuar pasurimin e trafikantëve pa skruppull. Bashkimi Evropian duhet të japë një përgjigje solidare dhe unitare. Nuk mund të mendohet se mund të tërhiqemi secili, brenda kufijve të vet. Kjo nuk sjell asnjë rezultat.








All the contents on this site are copyrighted ©.