2016-06-19 09:00:00

Ati i Shenjtë shkon për vizitë në Vilën Nazaret


Papa Françesku vizitoi, sot pasdite, Vilën Nazaret, në Romë, seli e Fondacionit “Domenico Tardini”, që ndihmon studentët dhe punonjësit shkencorë në procesin e formimit. Ishte një nga vizitat që bën herë pas here Ati i Shenjtë në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, në qendra katolike të dalluara për ndihmesë në dobi të shoqërisë.

Duke komentuar Ungjillin, Papa kujtoi se në fragmentin e ditës takojmë një mori njerëzish: atë që bën pyetjen “kush është i afërmi im?”, Jezusin e pastaj vijnë personazhet e shëmbëlltyrës: cubat, i varfëri gjysëm i vdekur në mes të rrugës, pastaj prifti, doktori i ligjit, ndoshta avokat, i zoti i bujtinës… E në shëmbëlltyrë - kujtoi Papa – ndoshta as prifti, as doktori i ligjit e as i zoti i bujtinës, nuk dinin t’i përgjigjeshin pyetjes: “Kush është i afërmi”, madje nuk dinin as si është ‘i afërmi’, apo jo? Prifti ishte për ngut, siç janë  gjithë priftërinjtë, sepse shikonte tash e parë orën: “Epo, duhet të shkoj se kam një Meshë” ose, shpesh herë:“kam lënë Kishën hapur, duhet ta mbyll, sepse orari është ky e nuk mund të rri më tutje”. Doktori i ligjit, njeri praktik, tha me vete: “Nëse ngatërrohem me këtë punë, nesër do të më duhet të shkoj në gjykatë e të dal dëshmitar, të them çka bëra e të humbas kështu nja dy a tri ditë pune… Jo, jo. Më mirë ….”Rroftë Ponci Pilat” - tha, e u nis e shkoi. Ndërsa ai tjetri, mëkatari, që nuk ishte prej popullit të Zotit, u prek thellë në shpirt. Pati mëshirë! E u ndal. Të tre - prifti, avokati e samaritani - e dinin fare mirë ç’duhej bërë, e si njëri, ashtu edhe tjetri, e morën vendimin e tyre. Po mua më pëlqen të mendoj për të zotin e bujtinës. Njeri pa emër. Ai pa gjithçka e nuk kuptoi gjë prej gjëje. “Po ky qenka i çmendur - tha me vete - një samaritan, që ndihmon një hebre! I marrë e i shkundur. E pastaj, si ia lidhi me duart e veta plagët dhe e solli në bujtinë, vjen e më thotë: “Kujdesu për të, se të paguaj unë, mos kij dert, edhe nëse duhet diçka më shumë”. Po unë nuk e kam parë kurrë një gjë të tillë! Është i çmendur, sigurisht! E pra ishte pikërisht i çmenduri, që e mori fjalën e Zotit: në dëshmi. Një mëkatar pati mëshirë. Një mëkatar,  po, por jo një besimtar i Popullit të Zotit. Pati mëshirë, edhe pse nuk kuptonte asgjë. U ndalua ndoshta për kuriozitet, për të parë ç’po ndodhte, por me shqetësim në zemër. E këtë e bën dëshmia. Dëshmia e samaritanit kalli shqetësim në zemrën e të zotit të bujtinës. Por ç’ndodhi më pas, këtë nuk e  thotë Ungjilli, nuk na e thotë as emrin e tij. Por jam i sigurt se ky njeri e mori mesazhin e dëshmisë. Pastaj të nesërmen samaritani kaloi rishtas atje e sigurisht deshi të paguajë gjëkafshë, por i zoti i bujtinës gjegji; “Jo, lërë lëre, kjo është për llogari time”, e ndoshta kjo ishte përgjigjja e parë që i jepte dëshmisë. Po pse po ndalem sot tek ky person - mund të më pyesni. - Ndalem, sepse dëshmi do të thotë të jetosh në mënyrë të tillë, që të tjerët të shikojnë veprat tuaja e të lumnojnë Atin,  që është në Qiell, domethënë, ta takojnë Atin… t’i dëshmojnë fjalët e Jezusit.

Më pas Papa foli për vendin, që po vizitonte, Vilën Nazaret, vepër pune, ku favorizohet dëshmia. Këtu - shtoi Papa - njerëzit nuk vijnë ‘të kacavaren për t’u ngjitur lart e më lart. As për të fituar para, jo, por për të ndjekur gjurmët e Jezusit e për të dhënë dëshmi për Jezusin, për ta mbjellë dëshminë. Në heshtje, pa shpjegme të tepërta, me gjeste, me gjuhën e gjesteve, apo jo? E unë jam i sigurt se ai, i zoti i bujtinës, është në qiell, sepse kjo farë mbiu e u rrit atje. E dëshmia kalon e përhapet. Vetëm Hyji e ruan, e bën të rritet. E ndërsa i zoti fle, bima hedh shtat.

Uroj që kjo vepër të vijojë të jetë vepër dëshmie, shtëpi për të gjithë - tha në përfundim Papa. - Zoti na çliroftë nga cubat - shtoi - janë shumë, tepër, e na çliroftë edhe nga priftërinjtë që nguten, që nuk kanë kohë të dëgjojnë, as të shikojnë, sepse koha u duhet për punët e veta; e na çliroftë nga doktorët, që duan ta paraqesin fenë e Jezu Krishtit me saktësi matematike e na ndihmoftë të ndalemi e të na mësojë urtinë e Ungjillit: të ndotim duart! Zoti na e dhëntë këtë hir. Amen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.