2016-06-19 17:32:00

Kretë, hapja e Sinodit Panortodoks


U hap dje, në Kretë, Sinodi Panortodoks. Dhjetë, Kishat e pranishme në një takim të përmasave të tilla, që mblidhet pas 1200 vjetësh. Përveç Patrikut të Kostandinopojës e të Aleksandrisë, marrin pjesë edhe ai i Jeruzalemit e i Rumanisë si dhe Kishat autoqefale të Qipros, Greqisë, Shqipërisë, Polonisë, Çekisë, Sllovakisë. Mungojnë katër Kisha. Sipas Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës, vështirësitë aktuale nuk kanë të bëjnë me kontraste në fushën teologjike.

U hap, pra Sinodi, me një Meshë solemne, kremtuar nga gjithë primatët. Por ëndrra e Bartolomeut I për t’i mbledhur bashkë të 14 Kishat e ortodoksisë, nuk u realizua plotësisht, për shkak të mungesës së Rusisë, që hoqi dorë nga pjesëmarrja në çastet e fundit.

Të shumta opinionet mbi kremtimin e edhe mbi munguesit. Ndërmjet çështjeve më të diskutuara, ai i ndryshimit të statusit  të “primus inter paris” – “të parit ndërmjet të barabartëve”, ndërsa mendohet se rusët  u vetizoluan. E këtë e tregon fakti se nga 14 kishat, 10 janë të pranishme. E këto Kisha e nisën kremtimin pikërisht ditën e Rrëshajëve, duke iu lutur Shpirtit Shenjt për hirin e dialogut e të bashkimit.

Në mijëvjeçarin e dytë Kishat e lindjes u ndanë; në dymijshin, u bashkuan. Në mijëvjeçarin e tretë kanë detyra shumë më të rëndësishme: duhet t’i japin përgjigje krizës në botën bashkëkohore.

Problemi kryesor i këtij çasti për Kishën ortodokse mendohet të jetë guximi i ballafaqimit me botën e sotme.

Nuk duhet harruar se Etërit e mëdhenj të Kishës, të respektuar nga të gjithë, në kohën kur ishte e bashkuar, e patën këtë guxim. E shpresohet se ky Sinod do të ndikojë fuqimisht edhe mbi marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, në udhën drejt bashkimit të plotë të të gjithë besimtarëve në Krishtin, ëndërr e përbashkët e Françeskut dhe e Bartolomeut. Prej këndej, Sinodi aktual nuk mund të shikohet si shprehje e ligështisë në fe. Jo, sepse bashkimi në fe ekziston e Kisha ortodokse u mblodh pikërisht për ta dëshmuar këtë. 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.