2016-06-17 19:06:00

Papa Françesku viziton meshtarët e moshuar e të sëmurë


Sot pasdite, duke vazhduar nismën jubilare të “së Premtes së mëshirës”, Papa Françesku u kushtoi vëmendje meshtarëve. Pikërisht këtë muaj, Ati i Shenjtë kremtoi Jubileun e meshtarëve, duke u predikuar atyre ushtrimet shpirtërore në tri bazilika romake, më 2 qershor, e duke kremtuar me ta Eukaristinë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, më 3 qershor.

Me gjestin e sotëm, Papa deshi të tregojë afërsinë dhe kujdesin e tij për të gjithë ata meshtarë, që nuk mundën të merrnin pjesë fizikisht në kremtimet jubilare, por që janë gjithnjë të pranishëm në lutjen e në zemrën e tij. Prandaj, Françesku – i palodhur – vizitoi sot jo një, por dy bashkësi meshtarësh, në një pasdite të gjatë, të pasur me takime, emocione, gëzim shpirtëror e çaste lutjeje.

Bashkësia e parë ishte ajo e “Malit Tabor”, ku ndodhen tetë meshtarë, me probleme nga më të ndryshmet, shoqëruar nga një diakon i përhershëm, Ermes Luparia, ish-kolonel i Aeronautikës italiane, tani, i specializuar në psikologji e shoqërues shpirtëror ndër etërit salvatorianë. Papa u takua me meshtarët në kapelën e vogël të bashkësisë, i dëgjoi dhe u lut me ta.

Më pas, Ati i Shenjtë shkoi në bashkësinë e priftërinjve të moshuar të dioqezës së Romës, që quhet “Shtëpia e Shën Gajtanit”, por njihet si “Njëqind priftërinjtë”. Aktualisht, në të strehohen 21 meshtarë, disa prej të cilëve shumë të sëmurë, që asistohen nga tre murgesha e nga personali laik. Drejtori i Shtëpisë, don Antonio Antonelli, ka qenë famullitar për vite me radhë e tani, edhe ai është i sëmurë. Shumica janë meshtarë dioqezanë, por ka edhe meshtarë rregulltarë.

Pasi e kaluan gjithë jetën në shërbim të Kishës e të besimtarëve, këta priftërinj jetojnë tani të tërhequr e shumëkujt nuk u kujtohen. Por jo Papës, i cili, me këtë vizitë, i dëshmoi secilit prej tyre afërsinë e përzemërsinë, kujdesin e mirënjohjen e gjithë bashkësisë së krishterë të Romës e të Kishës.

Kujtojmë se gjatë Jubileut të Mëshirës, që na kërkon vepra të mëshirës të korpit e të shpirtit, Papa Françesku ka shkuar për vizitë në një shtëpi për pleq e të sëmurë në gjendje vegjetative; në një bashkësi për ish-të droguar në Castelgandolfo; në një qendër për refugjatët në Castelnuovo di Porto; në Lesbos të Greqisë për t’u takuar me refugjatët dhe emigrantët; si edhe me bashkësinë “Chicco” (Fara) për njerëz me të meta të rënda mendore në Ciampino.








All the contents on this site are copyrighted ©.