2016-06-17 17:33:00

Kardinali Parolin në Ukrainë: vuajtja juaj kërkon përgjigje nga Evropa


Duke u takuar me pjesëmarrësit në Asamblenë e Roaco-s, Papa kujtoi edhe krizën e rëndë, që po jeton Ukraina, vendi për të cilin u mblodhën ndihma të jashtëzakonshme në të gjitha Kishat e Evropës. E pikërisht në Ukrainë arriti mbrëmë sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për t’i çuar solidaritetin e Papës dhe të mbarë Kishës katolike kësaj popullsie, viktimë e  një lufte djallëzore e të harruar.  

Sapo arriti në Ukrainë si i dërguar i Papës, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, deshi t’i bëjë menjëherë vizitë qytetit të Zaporozhjes, në pjesën më lindore të vendit, pikërisht atje ku refugjatët dhe viktimat e dhunës, që vijon në zonat përreth, janë më të shumtë. Mendimi i Prelatit të lartë shkoi menjëherë tek drama e fëmijëve, viktimat e para të minave, mbjellë me shumicë në zonat ku u zhvilluan luftimet. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të kishave dhe të konfesioneve fetare të qytetit, kardinali Parolin nuk ngurroi ta dënojë konfliktin që vijon në vend, duke e shikuar si rrezik për mbarë Evropën, shembull i asaj lufte botërore pjesë-pjesë, për të cilën flet vazhdimisht Papa. E kjo situatë i drejton një pyetje të vështirë ndërgjegjes së mbarë bashkësisë ndërkombëtare. Për këtë arsye Papa i nxiti bashkësitë katolike të Evropës të organizojnë një mbledhje të posaçme ndihmash në favor të Ukrainës që vuan, në shenjë solidariteti konkret. Shumat e mbledhura, duke i shtuar edhe të tjera nga vetë Papa, ia dorëzoi kardinalit Parolin një Komitet i posaçëm teknik, kryesuar nga imzot Jan Sobilo, ipeshkëv-ndihmës i Charkiv-Zaporozhjes, për t’iu shpërndarë viktimave të dhunës në pjesën lindore të Ukrainës. Gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare - kujtoi kardinali Parolin - nuk do të ketë asnjë dallim ndërmjet njerëzve me bindje, përkatësi fetare, etnike a gjuhësore të ndryshme. Kushti i vetëm është që të kenë me të vërtetë nevojë për ndihmë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.