2016-06-17 15:53:00

Vatikani: të krishterë e myslimanë, së bashku, kundër konflikteve e dhunës


Të krishterë e myslimanë janë të thirrur të bëjnë ç’është e mundur për të qenë “të dhimbshëm e të mëshirshëm ndaj të tjerëve”, posaçërisht ndaj nevojtarëve. Kështu shkruan kardinali Jean-LouisTauran në mesazhin drejtuar myslimanëve për muajin e Ramazanit. Kryetari i dikasterit për dialogun ndërfetar kujton se “të krishterë e myslimanë përfitojnë nga mëshira hyjnore, duke qenë edhe mjete të saj”.

Shtegtimi në Viset e shenjta ndihmon për të fituar ndjesën e Zotit

Përballë një mori njerëzish, që vuajnë nga dhuna e varfëria - vijon Hirësia e Tij - të krishterë e myslimanë nuk mund ta sjellin kokën nga ana tjetër. Kardinali Tauran uron që shtegtimi i myslimanëve në Viset e Shenjta të jetë kohë e përshtatshme për të provuar mëshirën e Zotit dhe nënvizon rëndësinë e vetë shtegtimit, për të fituar nga Zoti ndjesën për mëkatet tona.

Të krishterë e myslimanë t’i ndihmojnë nevojtarët, pa dallim

Eshtë jetike - lexohet në mesazhin e nënshkruar edhe nga sekretari i dikasterit, imzot Miguel Angel Ayuso Guixot - që të gjithë të punojnë së bashku për t’i ndihmuar nevojtarët, pavarësisht nga etnia ose nga besojma e tyre fetare. Kur ne i bashkojmë përpjekjet - përfundon mesazhi - i bindemi   urdhërimit të besimeve tona, duke dëshmuar mëshirën e Zotit e duke dhënë, kështu, një dëshmi më të besueshme, si individë e si bashkësi.








All the contents on this site are copyrighted ©.