2016-06-15 14:06:00

Raporti i COMECE-s: Evropa të promovojë paqen


Promovimi i paqes në botë: kjo është thirrja, vokacioni i Evropës. Me këtë temë në qendër, u paraqit në Bruksel, raporti i Komisionit të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian, COMECE. Ndër argumentet, strategjia globale e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

         Në një botë plot tensione ndërkombëtare dhe terrorizëm, Evropa duhet të rizbulojë impenjimin e saj për paqen dhe pajtimin. Raporti i COMECE-s kërkon një diplomaci në shërbim të paqes, që mbron të drejtat e njeriut dhe i kushton vëmendje të veçantë fenomenit të emigracionit, në bashkëpunim me vendet e origjinës, të tranzitit e të mbërritjes. Përsa i përket luftës kundër terrorizmit, kërkohet koordinimi i masave parandaluese më urgjente dhe të atyre afatgjata, pa u dorëzuar para radikalizmit dhe duke favorizuar zgjidhjen paqësore të konflikteve. Është e nevojshme të ndërpriten flukset financiare ndërkombëtare, që ushqejnë terrorizmin, siç nënvizoi drejtori i organizatës katolike FOCSIV, Attilio Ascani, anëtar i grupit të punës “Drejtësi e Paqe” në COMECE:

         “Do të nisesha nga fjalët e Papës Françesku: ‘Armët udhëtojnë më shpejt se ushqimi’. Pastaj, duhet mbështetur paqja në tri fusha: të arrijmë paqen përmes sigurisë dhe drejtësisë; të arrijmë sigurinë me transparencë më të madhe në tregtinë e armëve; të kemi një politikë mbrojtjeje të frytshme e jo vetëm hakmarrëse. Ftesa e ipeshkvijve evropianë është një qasje aktive e konstruktive ndaj paqes dhe sigurisë e jo vetëm kontroll fizik e ushtarak i rrezikut brenda e përreth Bashkimit Evropian. Bëhet thirrje për të ndërtuar në mënyrë aktive paqen, siç është e shkruar në ADN-në e Bashkimit”.

         Përsa i përket Lindjes së Mesme, ipeshkvijtë i kërkojnë Evropës të veprojë si një pol i tretë në krahasim me Rusinë dhe SHBA-të, për të krijuar një dialog, që sot, nuk ekziston.

         Në frontin e ndihmave humanitare, ipeshkvijtë kërkojnë që ato të frymëzohen nga parimi i barazisë dhe i humanitetit për të gjithë, ndërsa në frontin ekonomik, COMECE bën thirrje për marrëveshje tregtare të drejta, që t’u garantojnë trajtim të veçantë vendeve në zhvillim. E më tej, vëmendja e ipeshkvijve përqendrohet në çështjet e klimës e të energjisë, me rekomandimin për uljen e gazit serë në atmosferë dhe rritjen e energjive të rinovueshme. Pastaj, sërish çështja e paqes në botë, me kërkesën për një strategji çarmatimi:

         “Paqja duhet ndërtuar përmes proceseve të drejtësisë. Nuk mund të kufizohemi vetëm në ndërhyrjen në vatrat e dhunës. Sot vërejmë se nganjëherë, Bashkimi Evropian promovon politika tregtare me Afrikën e me vende të tjera, vetëm në funksion të nevojave të Evropës. Kjo nuk është e drejtë! Edhe përdorimi i energjisë, shpërndarja dhe ndarja e energjisë në botë është temë shumë e rëndësishme, për të cilën duhet të krijojmë barazi e drejtësi në vende të ndryshme, sepse pikërisht lindja e pakënaqësive, e mllefit, e ndjenjës së padrejtësisë shkakton atë, që sot, e shohim si terrorizëm, por edhe si vështirësi për sigurinë tonë. Krijimi i një rruge evropiane për sigurinë shihet si persektivë e vlefshme nga ipeshkvijtë, si për të përmirësuar vetë sigurinë, ashtu edhe për të ulur koston e vendeve evropiane për politikat ushtarake e të sigurisë. Fonde të tilla duhet të shkojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar”.

         Së fundi, roli i Kishave dhe i bashkësive kishtare:

         “Siguria fillon nga respekti për të drejtat e njeriut, për të drejtat e të gjithëve, brenda e jashtë Evropës, e ndër to, edhe e së drejtës për lirinë fetare. Kishat kanë një rol të rëndësishëm në nxitjen e njohjes së ndërsjelltë, në pranimin e tjetrit brenda e jashtë Evropës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.