2016-06-15 16:19:00

Buka e shtegtarëve. Imzot Fisichella: nuk duhet t’i mungojë askujt


Buka, e lakuar në të gjitha rasat, e posaçërisht, e dhuruar gjithë shtegtarëve. Ishte ky, kuptimi i nismës, që u vu në jetë dje, në Sheshin Gjoni XXIII, në Romë, në një “Fshat të bukës”, krijuar pranë çadrës së mëshirës. Nisma quhet “Bukën tonë të përditshme na e jep sot” dhe u organizua nga shoqëria e bukëpjekësve dhe e pastiçerëve, së bashku me Vatikanin. I pranishëm, edhe imzot Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Në mikrofonin tonë, imzot Fisichella kujton rëndësinë e ushqimit dhe aktin e solidaritetit ndaj më të varfërve:

Përgjigje: - “Bukën tonë të përditshme na e jep sot!”, nuk është vetëm kujtim, që Jezusi na e kërkon ta bëjmë ditë për ditë, por edhe nxitje për të qenë plotësisht të vetëdijshëm se buka nuk duhet të mungojë në asnjë tryezë. E kjo kërkon solidaritet nga ana e të gjithëve, prej këndej, në këtë çast, kur ne po hapim këtu këtë mjedis, i cili një javë të tërë do të mikpresë shtegtarët, që vijnë në Romë, kjo bëhet edhe nxitje pozitive për të gjitha fomat e solidaritetit dhe të vëmendjes ndaj më të varfërve, më nevojtarëve, për të cilat Papa Françesku na bën thirrje të vazhdueshme.

Pyetje: - Është simbol, atëhere?

Përgjigje: - Është shenjë ndërmjet shumë shenjave të tjera të Jubileut. Ashtu si Porta Shenjte është shenjë, që na bën të vetëdijshëm se po shkojmë të takojmë Krishtin, këtu simboli na nxit për më shumë vetëdije ndaj të varfërve,  që duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë e të cilëve, në radhë të parë, u duhet dhënë ushqimi.Sensibilizimi mbi mungesën e bukës, që ndjehet fort në shtresa të tëra të popullsisë në botë, është thirrje, që duhet ta dëgjojnë të gjithë, ja pse iu shpërnda shtegtarëve, mbartës të këtij mesazhi.








All the contents on this site are copyrighted ©.