2016-06-13 14:24:00

Papa në WFP: ushqim për të gjithë, “të çburokratizohet” uria


Të “çnatyralizohet” mjerimi, të “çburokratizohet” uria: me këtë fjalor krejtësisht personal, Papa Françesku iu drejtua sot Programit Ushqimor Botëror (WFP), agjenci e OKB-së me seli në Romë, që u vizitua për herë të parë në histori nga një Papë. Programi Ushqimor Botëror është organizata humanitare më e madhe e botës, që i ka vënë vetes si detyrë të zhdukë urinë brenda vitit 2030. Vërtet, fushata e saj quhet “Uria Zero”.

Ati i Shenjtë Bergoglio u lut para Murit të Kujtesës, i cili dëshmon flijimin e gjithë atyre që, duke i shërbyer organizatës, kanë dhënë jetën, që të uriturve të mos u mungonte buka edhe në mesin e konflikteve e të problemeve. Kujtesë që ruhet, kërkon Françesku, për të vijuar me të njëjtën forcë, luftën për arritjen e objektivit të “urisë zero”:

“Ata emra të skalitur në hyrjen e kësaj Shtëpie janë shenjë e qartë e faktit që Programi Ushqimor Botëror përbën mjet të vlefshëm për bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë veprimtari gjithnjë e më energjike dhe të frytshme”.

E dëgjojmë vajtimin, por nuk ngushëllojmë

Zhillimi i teknologjive të komunikimit duket sikur i shkurton distancat gjeografike, na jep mundësinë të lidhemi me anën tjetër të botës, të njihemi me gjendje të dhimbshme e të mobilizohemi me gjeste dhembshurie e solidariteti. Krijohet një paradoks, shpjegoi Papa, sepse ky informacion kaq i madh na bën ta konsiderojmë të natyrshëm mjerimin e të mësohemi me të. Pak nga pak krijojmë imunitet ndaj tragjedive të të tjerëve:

“Janë kaq të shumta imazhet që na mbërrijnë, sa ne e shohim dhimbjen, por nuk e prekim, e dëgjojmë vajtimin, por nuk ngushëllojmë, e shikojmë etjen, por nuk e shuajmë. Në këtë mënyrë, shumë jetë bëhen pjesë e një lajmi, që në pak kohë, do të zëvendësohet me një tjetër. E ndërsa lajmet ndërrojnë, dhimbja, uria e etja nuk ndërrojnë, mbeten”.

Të çnatyralizohet mjerimi

Nga ky kuadër, kuptohet fare mirë roli themelor i institucioneve si Programi Ushqimor, i cili nuk mjaftohet me njohjen e situatës, por as me diskutime e me reflektime pa fund mbi të. Mjerimi, nënvizoi Papa, duhet “çnatyralizuar” e nuk duhet konsideruar si një realitet mes shumë të tjerëve:

“Sepse mjerimi e ka një fytyrë. Ka fytyrën e një fëmije, ka fytyrën e një familjeje, ka fytyrën e të rinjve dhe të pleqve. Ka fytyrën e mungesës së mundësive e të punës për shumë njerëz, ka fytyrën e emigracionit të detyruar, atë të shtëpive të braktisura apo të shkatërruara. Nuk mund ‘ta natyralizojmë’ urinë e shumë njerëzve; nuk na lejohet të themi se gjendja e tyre është fryt i një fati të verbër, para të cilit s’mund të bëjmë asgjë”.

Uria nuk është çështje burokracie

Kur e harrojmë fytyrën e mjerimit, vijoi Ati i Shenjtë, fillojmë e flasim për “uri”, “ushqim”, “dhunë”, pra, për koncepte abstrakte, duke e lënë mënjanë njeriun, që na troket në derë. Pa fytyrë e histori, jeta kthehet në shifra e ka rrezik ta “burokratizojmë” dhimbjen e të tjerëve. Por burokracia merret me shkresa, ndërsa dhembshuria lëviz për njerëzit. Pikërisht për këtë arsye, sipas Papës Françesku, duhet punuar për ta “çnatyralizuar” dhe për ta “çburokratizuar” mjerimin e urinë e të tjerëve:

“Mungesa e ushqimeve nuk është diçka e natyrshme, as është ndonjë e dhënë e padiskutueshme dhe e dukshme. Që sot, në shekullin e 21-të, shumë njerëz vuajnë nga kjo fatkeqësi, varet nga shpërndarja egoiste dhe e keqe e të ardhurave, nga ‘merkantizimi’ i ushqimeve”.

Jemi mësuar të hedhim

Frytet e tokës janë bërë privilegj për disa, denoncoi Ati i Shenjtë. Kjo dhuratë për gjithë njerëzimin është kthyer në mall e për rrjedhojë, në pasuri për disa, ndërsa të tjerët mënjanohen e përjashtohen nga shoqëria:

“Konsumizmi, që mbizotëron në shoqëritë tona, na nxit të mësohemi me shpërdorimin e përditshëm të ushqimit, të cilit, nganjëherë, nuk jemi më në gjendje t’i japim vlerën e vërtetë, që shkon përtej parametrave ekonomike”.

Uria, e përdorur si armë

         Duhet të kujtohemi se kur shpërdorojmë ushqimin, theksoi Papa Françesku, është njëlloj si të vjedhim në tryezën e të varfërve. Duhet “çburokratizuar” ushqimi, përdori Ati i Shenjtë fjalën tjetër të vetën, ndoshta jashtë fjalorëve të përditshëm, por mëse e përshtatshme për t’ia kuptuar idenë. Françesku iu referua luftës e konflikteve, që pengojnë shpërndarjen e ndihmave, por sidomos paradoksit të ligjeve e të vendimeve të ndërlikuara politike, të cilat ngrenë pengesa për qarkullimin e ushqimeve, ama jo edhe për atë të armëve:

         “Në disa raste, edhe vetë uria përdoret si armë lufte. E viktimat shumëfishohen, sepse numri i njerëzve, që vdesin për shkak të urisë e të rraskapitjes, i shtohet atij të luftëtarëve, që vdesin në fushën e betejës, dhe atij të shumë civilëve, që humbin jetën gjatë ndeshjeve dhe atentateve”.

Bashkëpunim ndërmjet shteteve

         Programi Ushqimor Botëror, nënvizoi Ati i Shenjtë, ka rol themelor në arritjen e objektivit të ushqimit për të gjithë, por për këtë ka nevojë që të gjitha shtetet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre. Ati i Shenjtë kërkoi projekte të qëndrueshme dhe programe afatgjatë, të cilat të sigurojnë shpërndarjen e drejtë të të ardhurave në botë, duke përdorur si duhet edhe njohuritë shkencore e teknike e duke forcuar bashkësitë lokale. Papa nuk mungoi t’u sigurojë të gjithëve ndihmën e përkrahjen e Kishës Katolike, duke theksuar se fjala e Krishtit “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi”, mund të vlejë për të gjithë popujt, sepse e ardhmja e një populli shihet nga aftësia e tij për të marrë përsipër me solidaritet, urinë dhe etjen e vëllezërve të vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.