2016-06-10 13:15:00

Françesku krijon komitetin për shpërndarjen e fondeve në Ukrainë


Papa Françesku krijoi një komitet për shpërndarjen e fondeve, grumbulluar gjatë mbledhjes së lëmoshëve në Kishat e Evropës, të diel, më 24 prill, për popullsitë e Ukrainës, të stërmunduara nga lufta. Krijimi i organizmit bëhet pak ditë para vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin në vend. Atë Federico Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, duke u folur gazetarëve,  nënvizoi se ndihma do t’u shpërndahet të gjithëve, pa asnjë dallim besojme a përkatësie etnike. Nuk ka ende njoftime të sakta për shumën e mbledhur, duke pasur parasysh se mbledhja e ndihmave është e ndërlikuar. Nis nga famullitë, për të arritur, pastaj, në Romë, përmes Konferencave ipeshkvnore. E, me që është nismë e Papës - vijon të njoftojë Salla e Shtypit - organizatorë të projektit do të jenë Sekretaria e Shtetit të Vatikanit dhe Këshilli Papnor “Cor Unum”, mbështetur nga nunciatura apostolike në Ukrainë. Ndërkaq, për parashikimin e shpërndarjes së fondeve, Papa ka ngritur edhe një komitet teknik në vend, me një kryetar e katër anëtarë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.