2016-06-09 16:45:00

Papa: DBR, Czestochowa e Auschwitz në shtegtimin e korrikut


Në shtegtimin e korrikut për DBR-në polake, Papa do të vizitojë Czestochowa-n e Auschwitz-in, por në program nuk do të mungojnë as takime të tjera, të rëndësishme.

Shumë çaste prekëse e presin Papën argjentinas, në trojet e Papës Shenjt polak: Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, çastet e ndryshme të përqafimit me të rinjtë për ditën e parë të Rinisë të thirrur prej Tij, por edhe nderimi për Zonjën Zeshkane në Czestochowa, me rastin e 1050 vjetorit të Pagëzimit të Polonisë, lutja kundër tmerreve të Auschwitz-it e Birkenaut dhe ngushëllimi i të sëmurëve të vegjël në spitalin pediatrik të Prokocim-it. E edhe kapërcimi i Portës së Mëshirës, në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore të Shën Faustinës. E këto janë edhe çastet kryesore të shtegtimit të Françeskut në Poloni, ku do të qëndrojë nga 27, deri më 31 korrikun e  ardhshëm. Natyrisht, nuk do të mungojnë as takimet me institucionet politike e civile e, sidomos, me Kishën vendase. Vatikani e shpalli sot programin zyrtar të shtegtimit, i 15-ti ndërkombëtar i kësaj papnie.
Ati i Shenjtë do të niset në orën 16.00 të datës 27 korrik, nga aeroporti i Fiumicinos, për të arritur në Krakov në orën 17.00 (nuk ka ndryshim orari) ku Papa do të pritet në aeroport e pastaj, në Pallatin Wawel, do të takohet me presidentin, trupin diplomatik dhe shoqërinë civile. Në orën 18.30, në katedralen e Krakovit, do të takojë ipeshkvijtë polakë.

Dita e dytë, e enjte, 28 korrik, do të ndahet në dy etapa: ajo e Shenjtërores së  Czestochowa-s, me Meshën për 1050 vjetorin e pagëzimit të Polonisë, e, pasdite vonë, rikthimi në Krakov dhe ceremonia e pritjes nga ana e të rinjve, në Parkun Jordan.

Të premten, 29 korrik, Papa do të shkojë me helikopter në Oswiecim (emri polak i lokalitetit, ku u ngrit kampi nazist i përqendrimit,  Auschwitz-i). Papa do ta vizitojë si këtë kamp, ashtu edhe atë të Birkenaut. ku do të mbajë edhe një fjalim. Pas kthimit në Krakov, do të vizitojë  spitalin pediatrik universitar Prokocim, ndërsa nga ora 18.00, do të jetë në Parkun Jordan, për të marrë pjesë në Udhën e Kryqit të DBR-së.

Të shtunën, më 30 korrik, rreth orës 8.30, Papa do të shkojë në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, ku pak më pas do të rrëfejë disa të rinj. Në orën 10.30 do të bashkëkremtojë Meshën me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret, të kushtuarit e seminaristët polakë, në Shenjtëroren që mban emrin e Shën Gjon Palit II, në Krakov. Menjëherë pas, parashikohet dreka me të rinjtë e kryeipeshkvnisë. Angazhimi i mëpasëm do të nisë në orën 19.30, me mbrëmësoren e lutjes të të rinjve në Campus Misericodiae, ku Papa do të kapërcejë Portën Shenjte.

E diela, 31 korrik, është dita përfundimtare e shtegtimit të Bergoglios në Poloninë e Wojtylës. Pasdite Françesku do të takohet me vullnetarët, me komitetin organizator dhe me bamirësit e DBR-së.

Ceremonia e lamtumirës parashikohet për në orën 18.30 në aeroportin Balice-Krakov, ndërsa arritja në Romë-Ciampino, rreth orës 20.25.








All the contents on this site are copyrighted ©.