2016-06-07 14:13:00

Hyrja në Jeruzalem i Rojtarit të ri të Tokës Shenjte, atë Patton


Dje, hyri zyrtarisht në Jeruzalem, Rojtari i ri i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton. Me procesionin solemn nëpër rrugët e Qytetit të Vjetër, me aktin e mikpritjes në kishën e të Shenjtnueshmit Shëlbues dhe me vizitën në Varrin e Krishtit, françeskani filloi detyrën në krye të fretërve të Tokës Shenjte, të cilët ndodhen në Izrael, Palestinë e në gjithë Lindjen e Mesme. Sipas traditës, në Portën e Xhafës, së bashku me sivëllezërit e Rojtarisë, e pritën edhe nunci apostolik Giuseppe Lazzarotto, delegacioni i Patriarkut latin dhe përfaqësuesit e bashkësive të tjera të krishtera të Jeruzalemit, së bashku me autoritetet civile dhe me kongregatat e tjera fetare.

Atë Patton u kërkoi fretërve ta konsiderojnë thjesht sivëlla

“Vij në majë të gishtave – tha atë Patton – duke e ditur se kam nevojë për kohë që t’ju njoh e që të vizitoj vendet ku impenjoheni”. U kërkoi sivëllezërve të vet ta presin thjeshtë, duke i siguruar se do të kujdeset për secilin prej tyre, sipas stilit të Papës Françesku, i cili nënvizon se shërbimi i autoriteteve është t’u lajnë këmbët vëllezërve. Atë Paton theksoi se është gati të bashkëpunojë me autoritetet vendore fetare e civile, në kërkim të së mirës për banorët e Tokës Shenjte.

Atë Pizzaballa largohet nga Jeruzalemi

I veçantë, përqafimi i tij me paraardhësin, atë Pierbattista Pizzaballa, që e udhëhoqi Rojtarinë e Tokës Shenjte për 12 vjet me radhë. Atë Patton e falenderoi publikisht për shërbimin e kryer me zell e kompetencë, pa i kursyer energjitë. Vetë atë Pizzaballa lajmëroi nisjen e tij nga Jeruzalemi, ku ka kaluar 26 vjet të jetës së tij, duke uruar që jeta e krishterë të vazhdojë të jetë e pranishme në vendet e plagosura të Tokës Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.