2016-06-03 13:29:00

Françesku meshtarëve: nxënës në shkollën e Bariut të Mirë


Meshtarë e seminaristë nga mbarë bota, ardhur në Romë për Jubileun e tyre, u grumbulluan sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit e nisën menjëherë të bëjnë selfie, apo foto, me Papën Françesku. Dita e sotme ishte kulm i tri ditëve, me kremtimin në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Papa Bergoglio. Si në krye, ashtu edhe në fund të kremtimit, vijuan fotot me Papën, që i përshëndeti meshtarët, duke i kushtuar secilit një fjalë të mirë, një bekim, një gjest ngushëllues. E tani të gjithë, pasi i fiksuan këto ditë të paharrueshme në selfie, përgatiten t’i radhisin në albume, për ta ruajtur çdo çast  në kujtesë.

Të kërkosh, të përfshish, të gëzohesh. Janë tri pikat, rreth të cilave u shtjellua homelia e pasionuar e Papës Françesku në Meshën, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, me të cilën u mbyll Jubileu i meshtarëve. Në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Papa u kërkoi meshtarëve ta pyesin veten nga orientohet zemra e tyre. Më pas nënvizoi se një bari i mirë, nuk është llogaritar i shpirtit, por Samaritan i Mirë. Nuk di të përdorë dorashka  e është gjithnjë në kërkim të atij, që ka nevojë.

Nga orientohet zemra juaj? Është pyetja themelore, që u bëri Papa Françesku meshtarëve e seminaristëve, gjatë Meshës. Zemra e Krishtit, zemra e Samaritanit të Mirë - theksoi gjatë homelisë, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit - shtrihet drejt nesh, e polarizuar posaçe kah ai, që është i largët. Atje - vijoi, duke përdorur një shprehje figurative - anon gjilpëra e busullës. E duke i bërë përsëri jehonë shëmbëlltyrës të deles së humbur, në qendër të Ungjillit të ditës, nënvizoi se Bariu i Mirë dëshiron t’i gjejë të gjithë e të mos e humbasë asnjë.

Zemra e meshtarit ka dy drejtime: Zotin e njerëzit  

Thesaret e pazëvendësueshme të Zemrës së Krishtit – shtoi - janë dy: “Ati e ne”. E kështu - vijoi - duhet të jetë edhe zemra e bariut, që njeh vetëm dy drejtime: “Zotin e popullin e tij”:

“Nuk është më zemër e lëkundur, që tërhiqet nga joshja e çastit, që luhatet andej e këndej në kërkim miratimesh e kënaqësish të vogla, kalimtare, zemër mëkatare. Eshtë zemër e lidhur fuqimisht me Zotin, e rrëmbyer nga Shpirti Shenjt, e hapur, e gatshme për t’u shërbyer vëllezëve. E aty i zgjidh mëkatet e veta”.

Për të pasur një zemër, si ajo e Bariut të Mirë - vijoi - mund të stërvitemi për t’i bërë tonat tre veprime: “Të kërkosh, të përfshish e të gëzohesh”. Meshtari - porositi Papa - nuk mbron rehatinë e vet, nuk shqetësohet për të ruajtur emrin e tij të mirë. Pa iu trembur syri nga kritikat, është gati të rrezikojë, vetëm e vetëm që t’i ngjasë Zotit. Bariu i mirë - ripohoi Françesku - e ka zemrën të lirë për t’i lënë mënjanë gjërat e veta:

“Nuk është llogaritar i shpirtit, por Samaritan i Mirë, në kërkim të njeriut që ka nevojë. Është bari, jo kontrollor i grigjës, që nuk i kushton misionit vetëm 50 a 60 % , por gjithë vetveten. Duke kërkuar gjen, e gjen, sepse rrezikon! Nëse bariu nuk e vë veten  e tij në rrezik, nuk mund të gjejë gjë, apo jo? Nuk e ndal zhgënjimi as nuk e tremb mundimi; është këmbëngulës  në bamirësi, i vajuar nga ngulmi hyjnor, që askush të mos humbasë. Prandaj jo vetëm i ka gjithnjë portat e hapura, por edhe del  në kërkim të atij, që nuk dëshiron ta kapëcejë pragun, për të hyrë”.

Bariu i Mirë nuk i njeh dorashkat, është njeri, që rri me njerëzit

Françesku nënvizoi, në vijim, edhe se meshatri del vazhdimisht nga vetvetja. Epiqendrën e zemrës e ka përjashta tij; është i shpërqendruar nga vetja e i përqendruar tek Jezusi. Kështu Papa, që më pas u ndalua tek fjala “të përfshish”. Për meshtarin - vërejti - grigja e tij është familja e tij, jeta e tij. Nuk është  bari, që i tremb delet, por bari, që ecën me ta e i thërret të gjitha me emër, pa përjashtuar asnjë nga zemra e tij, nga lutja, nga buzëqeshja e tij:

“Bariu i Mirë s’i njeh dorashkat. Shërbyes i bashkimit, që e kremton dhe e jeton, nuk pret përshëndetjet e lavdatat e të tjerëve, por së pari, të shtrin dorën, duke i flakur tutje përgojimet, gjykimet, helmet. Me durim dëgjon problemet e shoqëron hapat e njerëzve, duke dhuruar ndjesë me mëshirë bujare. Nuk i bërtet atij, që e dredhon a e humbet rrugën, por është gjithnjë gati t’i zgjidhë e t’u japë fund sherreve. Është njeri, që di të përfshijë!”.

Meshtari duhet të jetë gjithnjë gazmor për të tjerët e me të tjerët

Françesku, në përfundim, e përqendroi vëmendjen tek fjala “ të gëzohesh”, tek gëzimi, që duhet ta shquajë jetën e meshtarëve. Gëzimi i Bariut të Mirë - theksoi - nuk është gëzim për vete, por gëzim për të tjerët e me të tjerët, gëzim i vërtetë, që buron nga dashuria:

“Ai shndërrohet nga mëshira, që e dhuron falas, falas e dhuron. Në lutje zbulon ngushëllimin e Zotit dhe e prek me dorë se s’ka gjë në botë më të fortë se dashuria e Tij. Prej këndej, shpirti i tij është gjithnjë i qetë. E bën të lum mendimi se është kanal mëshire, për ta afruar njeriun tek Zemra e Zotit. Trishtimi për të nuk është i zakonshëm, por vetëm kalimtar; rreptësia, krejt e huaj, sepse është bari i butë e i përvujtë, si Zoti”.

Ju falënderoj - përfundoi Françesku, duke iu drejtuar 6 mijë meshtarëve e seminaristëve të pranishëm - për ‘po’-në tuaj e për një mori ‘po’-sh të fshehura ditë për ditë, që vetëm Zoti i njeh; ju falënderoj që thatë ‘po’, kur u thirrët të dhuroni jetën, të bashkuar me Krishtin: është pikërisht këtu, gurra e pastër e gëzimit tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.