Nëse në kishë nuk veprohet me mëshirë, jo vetëm që ajo nuk sjell fryte, por ka rrezik të bëjë të kundërtën, pra t’i largojë njerëzit e të mos i frymëzojë ata për vepra të mira. Papa Françesku foli pa doreza, në meditimin e parë të ushtrimeve të sotme shpirtërore, në kuadrin e Jubileut të Meshtarëve, që filloi dje e përfundon nesër, në 160-vjetorin e Solemnitetit të Zemrës së Krishtit.
Rreth 6 mijë meshtarë, ardhur nga e gjithë bota, u shpërndanë sot në tri bazilika kryesore papnore, ku Ati i Shenjtë mban tre meditime gjatë ditës, në orën 10.00, 12.00 e 16.00, fillimisht në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, më pas në atë të Zojës së Madhe e së fundi, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Meshtarët e pranishëm në tri bazilikat, por edhe në kisha të tjera të Romës, mund ta ndjekin Papën në lidhje të drejtpërdrejtë video, realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit.
Gjithnjë me stilin e tij të përzemërt e të afërt, në meditimin e parë, Papa Françesku përmendi disa herë Shën Injacin, duke kërkuar falje me shaka për reklamën, që i bëri familjes së tij rregulltare, jezuitëve. Pastaj, u thellua në marrëdhëniet e meshtarëve me të tjerët. Kurrë, u tha, mos e konsideroni tjetrin thjesht “një rast”. Për ne është gjithnjë “një person”. “Shpesh – denoncoi – meshtarët e bëjnë këtë: është pak klerikalizëm. Thonë: ‘po rri larg, nuk më përket mua, bëj një baritori pa emocione dhe nuk rrezikoj asgjë’. E nuk më jepet kështu, as mundësi për ndonjë mëkat të turpshëm”.
Në meditimin e parë të sotëm, Bergoljo mori shkas nga shembëlltyra e Atit të mëshirshëm apo e djalit plangprishës. Sipas Papës, “mëshira është emocion, që prek thellë përbrenda, por mund të lindë edhe nga një perceptim i hollë intelektual. Për shembull, kuptohet kur tjetri ndodhet në gjendje të dëshpëruar, në zgrip; kur i ndodh diçka, që i tejkalon mëkatet e gabimet e tij; kuptohet se tjetri është si unë, se mund të isha unë në vend të tij; e se e keqja që po i ndodh është kaq e madhe e shkatërruese sa nuk mund të përballohet vetëm me drejtësi”.
Duke komentuar çastin në të cilin djali plangprishës pendohet, Papa Françesku tregoi historinë e “një njeriu, që jetonte në rrugë e që përfundoi në një strehë për të varfërit. Ishte mbyllur në hidhërimin e tij, nuk fliste me të tjerët. Njeri i kulturuar – nënvizoi Ati i Shenjtë – por e kuptuan më vonë. Pak kohë më pas, ky njeri u shtrua në spital për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme e ndërsa ndodhej aty, i trishtuar nga zhgënjimi në jetë, fqinji i tij i kërkoi t’i kalonte pështymoren e pastaj, i tha t’ia zbraste. Ajo kërkesë, që vinte nga dikush, vërtet në nevojë e në gjendje më të keqe se ai vetë, i hapi sytë dhe zemrën për një ndjenjë të fuqishme humaniteti, duke i ngjallur dëshirën për ta ndihmuar tjetrin e për ta lënë vetveten në dorë të Zotit. Kështu, një gjest i thjeshtë mëshire e lidhi me mëshirën e pasosur, pati guximin ta ndihmojë tjetrin e pastaj, lejoi ta ndihmonin: vdiq i rrëfyer e në paqe”.
Që këndej, Papa, i cili nënvizoi se mëshira është begati dashurie e skajshme nga ana e Zotit, u kërkoi meshtarëve që:
“…së pari, të shohin se ku, bota e sotme e çdo njeri, kanë më tepër nevojë për një begati të tillë dashurie. Para së gjithash, ta pyesim veten cili është vendi për një mëshirë të tillë, cili është terreni i shkretuar e i thatë për ta përmbytur me këtë ujë të gjallë; cilat janë plagët për këtë vaj balsam; cilat janë kushtet e jetimëve, që kanë nevojë për kaq shumë dashuri e vëmendje; cila është distanca për një etje kaq të madhe për një përqafim e një takim”.
Hiri që duhet t’i kërkojmë Zotit, theksoi Papa Françesku, është të bëhemi meshtarë, gjithnjë e më të aftë të marrim e të japim mëshirë. Prej këndej duhet të vijnë frytet e ndryshimit të mendësisë sonë institucionale: nëse strukturat tona nuk kanë jetë e nuk përdoren për ta marrë sa më mirë dhuratën e mëshirës së Zotit e për të qenë më të mëshirshëm me të tjerët, mund të shndërrohen në diçka krejt tjetër e të japin madje, fryte negative.
All the contents on this site are copyrighted ©. |