2016-06-02 16:53:00

Françesku: në Kishë kemi edhe gjëra jo të mira, por jemi gjithnjë me të varfërit


 

Në meditimin e tretë, mbajtur para meshtarëve, mbledhur në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës për Jubileun e tyre, Papa reflektoi kryesisht për veprat e mëshirës, si duke u ndaluar tek ndonjëra prej tyre, ashtu edhe duke i kundruar të gjitha së bashku. I pa me sytë e mëshirshëm të Zojës së  Bekuar, të cilët na bëjnë ta shikojmë verën që mungon e na inkurajojnë të bëjmë çka dëshiron të na thotë Krishti (cfr Gjon 2,1,1-12) që mëshira ta bëjë atë mrekulli, për të cilën ka aq shumë nevojë populli ynë.

Veprat e mëshirës lidhen ngushtë me ndjenjat shpirtërore. Duke u lutur kërkojmë hirin ta ndjejmë e ta shijojmë Ungjillin në mënyrë të tillë, që të na bëjë të ndjeshëm për jetën. Të vënë në lëvizje nga Shpirti Shenjt e të prirë nga Jezusi, mund ta shikojmë nga larg, me sytë e mëshirës, njeriun që shtrihet buzë rruge; mund ta dëgjojmë britmën e Bartimeut, mund të vërejmë sesi Zoti  ndjen në cep të mantelit, prekjen e dridhshme, por edhe të vendosur, të gruas që vuan nga hemorragjia. E mundemi edhe të provojmë, së bashku me Të, shijen e hidhur të vrerit të të gjithë të kryqëzuarve, për të mundur, kështu, ta ndjejmë edhe duhmën e fortë të mjerimit, në spitalet fushore, në trenat e gomonet plot me njerëz, atë duhmë, që vaji i mëshirës nuk mund ta mbulojë, por që, duke e vajuar, ia kthen përsëri shpresat e humbura.

Katekizmi i Kishës Katolike, vijoi të kujtonte Papa duke folur për veprat e mëshirës - tregon se Shën Roza e Limës, kur e ëma e qortoi pse e kishte mbushur shtëpinë me të verbër e të çalë, gjegji: “Kur u shërbejmë të varfërve e të sëmurëve, jemi era e mirë e Krishtit!”.

Në Kishë - vijoi të kujtojë Papa - kemi pasur e kemi shumë gjëra të mira e edhe shumë mëkate, por në shërbimin ndaj të varfërve përmes veprave të mëshirës, ndoqëm gjithnjë Shpirtin Shenjt, e shenjtorët tanë e bënë këtë gjithnjë në mënyrë shumë krijuese e të frytshme. Dashuria për të varfërit - nënvizoi Papa - ka qenë gjithnjë shenjë, dritë, që i bën njerëzit ta lumnojnë Atin. Njerëzit tanë e vlerësojnë shumë këtë - shpjegoi - e në vijim nënvizoi: “Populli ynë ia fal shumë të meta priftërinjve, përveç kapjes së tepruar pas parasë. E jo thjesht për shkak të pasurisë që grumbullojnë, por pse paraja i bën ta humbasin pasurinë e mëshirës. Populli ynë i nuhat nga larg mëkatet e rënda të barinjve, që e mbysin shërbesën e tyre, sepse i bëjnë thjesht funksionarë, ose, edhe më keq akoma, mercenarë, duke i dalluar nga mëkatet e dorës së dytë, mëkate që mund të mbarten, të ngarkuara si kryq, derisa në fund Zoti t’i pastrojë, siç bën me egjrën. Meshtarët duhet ta kenë gjithnjë mirë parasysh se Krishti u bë i varfër për t’i pasuruar me varfërinë e Tij. Zoti na kërkon ta përdorim mëshirën në të gjitha veprimet tona. Për ne, meshtarët e ipeshkvijtë, që punojmë me sakramentet, duke pagëzuar, duke rrëfyer e duke kremtuar Eukaristinë, mëshira është mënyra për ta shndërruar gjithë jetën e popullit të Zotit në sakrament. Të jesh i mëshirshëm nuk është vetëm një mënyrë e të qenit - theksoi Papa - por e vetmja e mënyrë e të qenit. Nuk ka mundësi tjetër për meshtarin! E, duke cituar Shën Alberto Hurtadon, kujtoi se nga veprat e meshtarëve, populli e merr vesh deri në ç’masë e kuptojnë dhimbjen e  tij.

Prova e këtij kuptimi nga ana e popullit tonë është se veprat tona të mëshirës bekohen gjithnjë nga Zoti e ndihmohen nga njeriu - kujtoi.

Papa u ndalua një copë herë të gjatë edhe tek shëmbëlltyra e gruas së pabesë, që Zoti nuk e dënoi, por e fali, duke i kujtuar se nuk duhet të mëkatonte më. E duke e shikuar me sytë plot ëmbëlsi, që ia shndërruan zemrën. Mësim për të gjithë ne - kujtoi Papa - kjo sjellje e Zotit. Secili nga ne duhet t’i dëgjojë mirë fjalët: “Mos mëkato më”, në mënyrë intime  e personale.

Françesku u rikthye edhe një herë me forcë tek hapësira e rrëfyestores, ku e vërteta na bën të lirë. Duke kremtuar sakramentin e pendesës – vijoi - meshtari kryen shërbesën e bariut të mirë, që kërkon delen e humbur; atë të samaritanit të mirë, që mjekon plagët; të atit, që e dëshiron djalin plangprishës e pret kthimin e tij; të gjykatësit të drejtë, që nuk bën dallime e gjykon me drejtësi e mëshirë.

Shenjë e mjet takimi. Kështu jemi – vijoi të kujtojë Papa - duke i shtjelluar hollësisht karakteristikat e të qenit shenjë e mjet: së pari meshtari është pranë njerëzve si mëkatar; së dyti, nuk duhet të jetë i mbushur me vetveten; së treti, duhet të jetë gjithnjë i gatshëm si mjet i dukshëm, si shenjë. Secili nga ne ka njohur rrëfyes të mirë - pohoi në vijim Papa - e  kujtoi historinë e njërit prej tyre, njohur në Buenos Ajres, njeri që falte, falte, falte! Ashtu si e kishte mësuar Krishti.

Françesku vijoi t’u flasë meshtarëve e seminaristëve për përmasën shoqërore të veprave të mëshirës, duke theksuar se dashuria duhet shprehur më shumë me vepra, sesa me fjalë.

Veprat e mëshirës janë të pafundme, secila me gjurmën e vet, me historinë e çdo fytyre. Nuk janë vetëm shtatë veprat trupore e shtatë shpirtëroret. Këto janë thjesht lëndë e parë, që shndërrohet vazhdimisht në vepër artizanale.

Përfundojmë - tha Papa - me leximin e lutjes drejtuar Shpirtit të Krishtit, lutje e bukur, për të kërkuar mëshirën e Zotit të mishëruar, që na mëshiron me Korpin e Shpirtin e Tij. T’i kërkojmë ta përdorë mëshirën për ne e për popullin e vet; shpirtit të Tij t’i kërkojmë të na shenjtërojë; korpit, të na shpëtojë; gjakut, të na dehë, të na  e shuajë çdo etje tjetër, që nuk është Ai vetë; ujit të brinjëve të tij t’i kërkojmë të na lajë; mundimeve të Tij, të na ngushëllojnë. Ngushëlloje popullin tënd, o Zot i kryqëzuar; në plagët tua, të lutemi, na fshih. Mos lejo që populli yt, o Zot, të ndahet prej Teje. Premto që asgjë e askush të mos na ndajë nga mëshira jote, e cila na mbron nga kurthet e armikut të mallkuar. Kështu do të mund ta këndojmë mëshirën e Zotit, bashkë me gjithë shenjtorët, kur të na urdhërosh të vijmë tek Ti! Këto, fjalët e fundme të Papës drejtuar meshtarëve gjatë takimit të tretë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, në pritje të takimit në Sheshin e Shën Pjetrit!








All the contents on this site are copyrighted ©.