2016-06-01 11:55:00

Françesku Xhiainistëve: të ruash Gjithësinë, do të thotë të ruash njerëzimin


Papa u takua sot, pak para audiencës së përgjithshme, me përfaqësuesit e Istitute of Jainology të Londrës, shprehje e bashkësisë xhiainiste, lindur në  Indi në shekullin e gjashtë para Krishtit, përqendruar mbi filozofinë e kundërdhunës ndaj të gjitha qenieve të gjalla.

“Mirëseardhët - ishin fjalët e para të përshëndetjes së Françeskut - e më pëlqen ky takim, takim, që e thellon përgjegjësinë tonë për kujdesin e krijimit, kësaj dhurate të cilën e morëm të gjithë – dhuratë e gjithësisë - që ta kemi në kujdes. Krijimi është pasqyrë e Zotit, pasqyrë e Krijuesit, pasqyrë e natyrës, e mbarë natyrës, është jeta e natyrës e edhe pasqyra jonë.

Ne - vijoi - të gjithëve, na pëlqen Toka mëmë, sepse ajo na dha jetën e na ruan: do ta quaja edhe motra Tokë, që na shoqëron në udhën e jetës. Por detyra jonë është të kujdesemi për të, siç kujdesemi për nënën a për motrën, domethënë me përgjegjësi, me ëmbëlsi e paqe.

Ju falënderoj - tha në përfundim Papa - për gjithçka bëni në kryerjen e kësaj detyre. Të mbetemi të bashkuar në këtë ideal, në këtë detyrë, në këtë punë që duhet bërë për ta ruajtur nënën tonë, motrën tonë Tokë, me vetëdijen se të kujdesesh, ta ruash krijimin, Tokën, do të thotë të kujdesesh e ta  ruash mbarë njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.