Dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mesditë, pas kremtimit të Meshës, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në ditën e Jubileut të diakonëve, Papa Françesku kujtoi, mes tjerash, Ditën e djeshme italiane të Lehtësimit “që ka si qëllim t’i ndihmojë njerëzit ta jetojnë mirë fazën e mbrame të ekzistencës tokësore”, dhe shtegtimin tradicional që u bë dje në Poloni në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Piekary. “Nëna e Mëshirës – tha Papa Françesku – i ndihmoftë familjet e të rinjtë në udhën drejt Ditës Botërore të Krakovit”.
Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi pastaj se më 1 qershor të ardhshëm, në Siri, do të mbahet një ditë e veçantë e uratës për paqen. Është Dita ndërkombëtare e Fëmijës, që mbahet të mërkurën e ardhshme në Siri, – tha Papa – e do të jetë një rast i veçantë, një ditë lutjeje që do t’i bashkojë komunitetet katolike e ortodokse:
“Do të jetojnë së bashku lutjen e posaçme për paqen, e cila do të ketë si protagonist pikërisht fëmijët. Fëmijët sirianë i ftojnë fëmijët e mbarë botës për t’u bashkuar në lutjen e tyre për dhuratën e paqes” në vend.
Në Siri janë gati 2 milion e gjysmë fëmijë nën moshën pesë vjeçare. të cilët vuajnë nga ushqimi i pamjaftueshëm e nga paushqimi. Këtyre ditëve, posaçërisht dramatike është situata e mase 3000 fëmijëve, të cilët janë të ngujuar, së bashku me mijëra njerëz, në një kamp refugjatësh afër Damaskut, atë të Khan Eshieh, ku është imponuar një rrethim i plotë që ndalon hyrjen e të mirave themelore në zonë. Në rajonin e Halepo-s, më tej, janë 1 milion e 200 mijë të mitur që jetojnë në kushte dramatike.
All the contents on this site are copyrighted ©. |