2016-05-28 13:48:00

Papa përqafon Hebe de Bonafini, themeluesen e Madri di Plaza de Mayo


Papa Françesku takoi dje në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan Marta Hebe de Bonafini, themeluese e presidente e shoqatës Madri di Plaza de Mayo, që formohet prej nënave të desaparecidos – disidentëve të humbur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë.

Hebe de Bonafini, 87 vjeç, e ka ruajtur gjithnjë shpirtin luftarak. Gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë jeta e saj qe tronditur fort: ajo ka humbur dy djem e nusen e djalit, zhdukur pa lënë gjurmë si shumë opozitarë të tjerë të regjimit. Takimi me Papën Françesku në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan qe i gjatë, shumë i përzemërt: jemi mallëngjyer të dy e jemi përqafuar – tha Bonafini – e cila në të kaluarën e pati kritikuar Papën Bergoglio e për këtë i kërkoi falje. E kohë më parë, në një letër, pati pranuar se kishte gabuar, duke mos i njohur impenjimet dhe kujdesin e Bergoglio-s për të varfrit. Themeluesja e Madri de Plaza de Mayo i foli Papës për situatën dramatike të Argjentinës, për njerëzit që janë pa punë e që luftojnë për të mbijetuar nga mjerimi. Papa, tregoi gruaja në një takim me gazetarë,  më së shumti ka dëgjuar, me një vëmendje të madhe, e tha se për momentin nuk mund të shkojë në Argjentinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.