2016-05-27 00:00:00

“Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës”. Dhembshuria e të huajit. Samaritani i mirë


Në rubrikën javore të së premtes kushtuar Vitit Jubilar të Mëshirës Hyjnore, sot ndalemi te shëmbëlltyra ungjillore e Samaritanit të mirë, që është një shkollë e jashtëzakonshme feje e shërbimi, përkujdesje e dashurie ndaj të afërmit tonë, kushdo qoftë ai.

Pra, nga shëmbëlltyra e borxhlinjve, treguar në skenën prekëse, në shtëpinë e Simeonit, së cilës i kushtuam emisionin e të premtes së kaluar në rubrikën radiofonike të 39-të jubilare, kësaj radhe në rubrikën e 40-të radiofonike jubilare, kalojmë tek një shëmbëlltyrë ungjillore po aq prekëse: ajo e Samaritanit të mirë.

Është një nga shëmbëlltyrat më domethënëse, që nis me përshkrimin e rrugëtimit të Jezusit, së bashku me dishepujt e Tij, kah Jeruzalemi. Rrugës Zoti takon një doktor ligji, me të cilin diskuton mbi një argument vërtet të rëndësishëm: “Si mund të trashëgohet jeta e amshuar”. Doktori synon ta vërë në provë mbi një çështje tejet të diskutuar: “Ç’mendon për urdhërimin më të rëndësishëm të Ligjit, nga i cili varet jeta e Pasosur?”.  Kjo situatë e frymëzon Jezusin për të treguar shëmbëlltyrën e Samaritanit, si përgjigje për pyetjen e vështirë, që i drejtohet.

Por, para se ta shpjegojmë, duhet ta rikujtojmë këtë shëmbëlltyrë: 

Samaritani i mirë (Luka 10,25-37)

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28 Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

Duke rikujtuar shëmbëlltyrën, të duket sikur dëgjon zërin e gjallë të Jezusit, që ta përsërit porosinë e dhënë dymijë vjet më parë: “Shko, pra, e bëj edhe ti si Samaritani i mirë”, sepse bota vijon të ketë gjithnjë nevojtarë e nevojë për Samaritanë të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.