2016-05-27 16:36:00

Scholas. Del Corral: për Françeskun edukimi mund ta ndryshojë botën


U hap sot në Shtëpizën Piu IV në Vatikan, kongresi i Fondacionit Papnor “Scholas Occurrentes”, lindur në Buenos Aires para mëse 15 vjetësh, me nxitjen e kryeipeshkvit të atëhershëm Bergoglio, sot, Papa Françesku. Të pranishëm, përfaqësues nga 40 universitete të gjithë botës, të cilët, të dielën, do të priten në audiencë nga Ati i Shenjtë Bergoglio, në përfundim të kongresit. I drejtuam mikrofonin drejtorit dhe themeluesit të Scholas Occurrentes, José Maria del Corral:

“Scholas” lindi duke bashkuar për herë të parë të rinjtë e shkollave katolike me ata të shkollave hebraike dhe myslimane. E kjo ka qenë edhe sfida e parë, detyra e parë që m’u besua tashmë 20 vjet më parë. Pata shkuar në bashkësinë hebraike dhe u pata kërkuar nëse ishte e mundur të më ndihmonin të formoja një grup të rinjsh hebrenj; pastaj, së bashku me të rinjtë katolikë dhe ata hebrenj, shkuam në Qendrën Islamike, në Argjentinë, dhe formuam një grup tjetër, të përbërë nga myslimanët. Aty lindi përvoja e parë e “shkollës së afërt”, para krizës së përjetuar më pas nga Argjentina. Të rinjtë, së bashku, filluan të mendonin për projekte, që mund ta përballonin krizën. …Prandaj, Bergoglio, kur e pa se të rinjtë ishin në gjendje të mendonin së bashku për një projekt, pavarësisht se të rriturit grindeshin me njëri-tjetrin, protestonin nëpër rrugë e kishte rrezik të iknin të gjithë, tha: “Është e qartë se ndryshimet e thella kalojnë përmes impenjimit të të rinjve! Gënjen ai, që thotë se janë të plogët dhe indiferentë!”. Pasi u bë Papë, e kuptoi se kriza nuk kishte të bënte vetëm me Amerikën Latine, por kriza edukative dhe ajo e rinisë kishte përmasa botërore. Prandaj, na thirri sërish më 13 gusht 2013.

Në kongres paraqiten të ashtuquajturat “Càtedras Scholas”. A mund të na e shpjegoni këtë nismë?

“Càtedras Scholas” është hapësirë, në të cilën takohemi në nivelin akademik dhe reflektojmë për punën e nevojat e bashkësive edukative, të shkollave lokale. Kemi mëse 500 projekte shoqëroro-edukative, që kanë të bëjnë me problematikën e refugjatëve, me shkollat, të cilat, për shembull, nuk kanë ujë të pijshëm apo ndeshen me kufizime të tjera, që kanë nevojë për ndihmë. Për këtë arsye, ua kemi paraqitur këto 500 projekte 42 universiteteve të botës, të të gjitha feve, në mënyrë që t’i njohin dhe të marrin përsipër një impenjim 12 mujor për t’i shoqëruar e ndihmuar. Rezultatet do t’i shohim pas 12 muajsh.

Sa i rëndësishëm është kontributi i kryeipeshkvit Bergoglio fillimisht, dhe i Papës Françesku, sot, për Scholas Occurrentes?

Është thelbësor! Është si hardhia me degët e saj… Do të ishte e pamundur t’i mendonim këto shkolla pa Françeskun, pa limfën e tyre të vazhdueshme: javë për javë, Ati i Shenjtë i kushton vëmendje gjithë kësaj. Është pjesë e jetës së tij të përditshme. Dhe na ndjek, sepse – siç ka thënë vetë – nuk impenjohet vetëm me kokë, me tru, por “me gjithë zemër, me gjithë vetveten”. Vërtet, Papa beson se nëse nuk e ndryshojmë me rrënjë edukimin, nuk do të arrijmë ta ndryshojmë kurrë botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.