2016-05-27 11:36:00

Predikimi i ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, në Meshën e Dritës së imzot Lucjan Avgustinit


Fort të dashur Vëllezër në Episkopat dhe meshtari,

Të dashur rregulltarë e rregulltare, seminaristë e kandidate,
Të dashur motra dhe vëllezër në Pagëzim
Shumë e nderuara familje Avgustini, 
E nderuar Dioqezë e Sapës, Ju grigjë e përkryer,
Me ju dhe në emrin tuaj, dëshiroj të falënderoj Presidentin e Shqipërisë, të gjithë autoritetet shtetërore e politike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, pjesëtarët e korit diplomatik, por edhe të gjithë miqtë e dashamirët që sot bashkë me ne dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit, shumë të dashurit dhe kurrë të paharruarit, Ipeshkvit të Sapës, pinjollit te familjes Avgustini, mikut tonë, Imzot Lucian Avgustinit, të cilin Zoti deshi ta thërrasë te vetja, dhe jam shumë i bindur se, deri sa ne të trishtuar e pranojmë vullnesën e Zotit, ai gëzon në lumturinë e qiellit paqën dhe lumturinë e amshume.
Nuk e di, cilit prej jush, nuk do ti dridhej sot buza, po të detyrohet të flasë për këtë njeri kaq të mrekullueshëm? E, le ma mua, që më duhet t'i belbëzoj këto fjalë për mikun më të shtrenjtë të jetës sime, i cili na la, mu atëherë, kur pritnim më së shumti prej Tij. I lutem Hyjit që të më forcoj me qëndresën e pathyeshme të fesë. Edhe pse zemra na u nda përgjysmë, prapë do të dimë të përballojmë me fe trishtimin dhe me uratë dhimbje. Këndej i lutem Zotit të më dhuroj duresën e Jobit, kur Zoti i mori gjithçka, atë qetësinë që i dha Davidit kur ia mori të birin, guximin e Marisë për të qëndruar nën Kryqin e Krishtit të Kryqëzuar. Po ashtu i lutem Hyjit, që të marrë një gacë nga zjarri i Shpirtit të Shenjtë të tij, e t’i djeg buzët e mija që t’ju flas goja ime në këtë moment kaq të dhimbshëm për të gjithë ne, sidomos për Kishën në Shqipëri, për dioqezën e Sapës, për familjen Avgustini dhe për gjithë popullin tonë kudo.
Ne të gjithë shpresonim që ky do të jetë e ardhmja e Kishës në Shqipëri. Shumëkush në mendimet e veta por edhe në përgjegjësitë që bartin, thurnim plane se ku, dhe si do të shfrytëzonim më mirë zellin e tij baritor, aftësitë e tij drejtuese dhe kapacitetet e tija shpirtërore. Në anën tjetër Kisha e Sapës, me xhelozi kujdesej që të tjerët t’mos ja marrin bariun, të cilin e donin shumë. Por, ja që rrugët e Zotit qenkan të pashqyrtueshme, vullneti i tij i pandryshueshëm dhe planet e tija të pakuptueshme. 
Hyji e paska përgatitë atë për amshim, vullneti i Tij paska qenë që ta lartësojë në fronin e shenjtërve dhe në shoqërinë e engjëjve të vet. Kurse, si duket, neve t’gjithëve, me këtë humbje ka dashtë të na e“shkundë shpirtin”, që gjërat t’i shohim me dritën e fesë . Kështu, në ditën e Trinisë së Shenjë, Zoti përfundimisht e thirri te vetja duke e bashkuar atë me shenjtërit e Tij, me Nënë Terezën që do të shenjtërohet dhe me martirët që do të lumnohen.
Në uratën time i thashë Zotit. Po, a pak të dhamë?! Po, a nuk e ka mbushë kjo kishë qiellin me martir gjatë shekujve, e sidomos gjatë Diktaturës së fundit? Dhe në shpirt dëgjova një përgjigje: po ju m’i dhatë sepse i vratë, por këtë dua ta marr unë.

E si ngjau e gjithë kjo?

1. Para tre muajve, u konstatua se Monsinjor Lluciani, mund të ketë një sëmundje të rëndë. Pasi u dha ky alarm u munduam të përdorim të gjithë mjetet që njeriu ka në dispozicion për ta shëruar, por shumë shpejt u konstatua se sëmundja e tij i tejkalonte mundësitë tona njerëzore dhe arritjet e mjekësisë. Mu në valen e përjekjeve tona ai me çdo kusht, deshi të lente spitalin dhe të kthehej në dioqezë që për herë të fundit të kremtonte Pashkët me priftat e dioqezës së vet dhe me grigjën e tij. Ishte i lumtur për këtë gjë sepse thoshte: “ishin këto Pashkët më të bukra që i kam kremtuar ndonjëherë”.

2. Pas Pashkëve, përsëri u angazhuam t’ia zgjatnim sado pak jetën. Por mjerisht, mjekësia përsëri u dorëzua para sëmundjes së tij. 
Në këtë situatë, u desht që të marrim vendimin më të dhimbshëm: atë që ta kthejmë në Dioqezë, në mënyrë që, të mos lëngoj nëpër spitalet e botës por, nëse duhej që të vdesë atëherë bariut i duhet të vdesë në “prehnin e kishës së vet” i rrethuar prej “grigjës tij”. Në këtë rast, lëshuam kushtrimin që nëpërmjet lutjes t’ia kërkojmë Zotit një mrekulli. 
Iu lutëm Zotit në të gjitha Kishat tona, nëpër shumë Kisha të vendeve të tjera të botës që e kanë njohur, por edhe aty ku kishte arritë jehona e dhimbjes, klithma e dashurisë e zëri u uratës tonë. 
Kurse dioqeza e Sapës, dhe shumë që e kanë dashur, të bashkuar në uratë nën dritaren e Bariut, kalonte nëpër luginën e trishtimit, mes shpresës që Zoti do ta dëgjonte lutjen e tyre, dhe dhimbjes për vuajtjet e bariut që lëngonte në shtratin e vdekjes.

3. Në festën e Trinisë së Shenjtë, rreth orës tre të pasdites, në praninë e familjes së gjakut dhe asaj të shpirtit, Hyji që e kishte thirrë në Jetë, Krishti që e kishte thirrë në meshtarinë e Tij, Shpirti i Shenjtë që e ka Shuguruar tri herë, pagëzim, meshtar dhe ipeshkëv, si Trini e Shenjtë, me një zë trinitar, përfundimisht vendosi ta thirrë shpirtin e tij te vetja . E ne, na mbeti vetëm trupi i tij, të cilën pas kësaj meshe drite për shpirtin e Monsinjorit tonë të dashur, do ta varrosim e do t'ia dhurojmë tokës, që atje të pushojë në paqe, deri sa Ai që rri në Fronin e gjithësisë ti bëj të reja të gjitha gjërat!« Zbu 21,5b dhe të fshijë çdo lot nga sytë tanë. Atëherë kur Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje, sepse gjithçka do të shndërrohet në të re. (Krah. Zb 21, 4).Tani, per tani ç’mund të themi përveç se, “u bë siç dhe ti” O Zot! Ashtu edhe le të jetë.

Ne me fe e me bindje e pranojmë vullnetin e Hyjit, që u shfaq mbi Kishën e Krishtit, në personin e Imzot Lucjanit.

• e pranojmë si njerëz, që dinë të bashkëndajnë të mirën dhe të keqen, gëzimin dhe hidhërimin, vuajtjet dhe hiret.
• si shqiptarë, sepse gjithnjë kemi ditë ta kthejmë vajin në këngë, sepse shumë gjatë "kemi vuajtur duke shpresuar dhe kemi shpresuar duke vuajtur, këndej edhe jemi gjallë.
• e sidomos e pranojmë këtë vullnet si besimtarë, të cilët besojnë se vdekja nuk është fjala e fundit, ajo është e fundit vetëm sa i përket mëkatit, po jo sa i përket Hyjit. Fjala e fundit e Hyjit është ringjallja dhe jeta. Mu ashtu sikur na dëshmon edhe në pjesen e ungjillit që kemi lexuar: Unë jam ngjallja e vërteta dhe jeta. Kush beson në mua s’do të vdes kurrë.Ta lejojmë Krishtin Zot, që të na ngushllojë edhe ne me të njëjtat fjalë feje që i ngushëllonte motrat e Lazrit. Sepse, për ne të krishterët që vdekjen tonë e bashkojmë me atë të Krishtit, të vdesësh do të thotë të shkosh i shoqëruar me të në amshim. (Krh.KKK Cap.12). Nuk ka, pra, tani kurrfarë dënimi ...Sepse, Ligji i Shpirtit Shenjt që na jep jetën në Jezu Krishtin, na çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. (Krh. Ron 1,1-2). Këndej, me Shën Palin mund të dëshmoj se: "... të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. (Krh. Ron 1,18) në saje të Atij që na ka dashur. Krh. Ron 8,37b)

Fort të dashur, 
më lejoni t'iu them edhe një fjalë Kishës së Sapës, familjes Avgustini, dhe mikut tim të jetës që gjithnjë e kam quajtur “Zemo”!

Kishë e Sapës, vazhdo të bashkohesh në lutje dhe bëhu e fortë! Sepse, në kohën e re ju jeni përballë me dhimbje të shpeshta: një herë Zoti mori Motër Marizën, Don Antonin, pastaj don Gencin e tani po u merr Bariun. Por ju do të dini të qëndroni të paluhatur në fe. Të paluhatur, mu si Jobi. Ju deri tani jeni lute për Ipeshkvin tuaj, tani mundeni lirisht t'i luteni atij, që të ndërmjetësojë për ju. Ju s’do ta keni ma ipeshkëv Lucjanin, por do të keni mësimin, dëshminë dhe shembullin që ju ka lanë për trashëgimi. 
E për ne të gjithë që e kemi dashur dhe e kemi njohur, le t'ia plotësojmë dëshirën e zemrës së tij sikur e ka përsërit shpeshëherë: “Që të realizohet një pajtim i gjithëmbarshëm, që të pajtohen të gjithë dhe të pajtohen deri në fund”. Por edhe atë porosi të fundit që ua la për Pashkë: “Duajeni shumë njëri-tjetrin”!

Familje e dashur Avgustini, Ju motra dhe vëllezër të Monsinjorit tonë të dashur, e di që e keni zemrën e thyer dhe që tani me vdekjen e ma të mirit, ndër ju, jeni të tronditur dhe të mërzitur shumë, por, Zotin dhe uratën e gjithë këtyre njerëzve e paqi në ndihmë në këtë sprovë të madhe për ju. Ju ia keni dhuruar Zotit një vëlla, një axhë, një dajë. Ai jetën e tij, kushtur Zotit. Ju duhet të ngushëlloheni me këtë dashuri që, këta njerëz e shprehin për vëllanë tuaj. Ju do të thoni: po, po, po shumë i ri! Jo ai nuk është i ri, por i pjekun në vullnetin e Zotit. Ai ka jetuar plot njëzet vjet ma shumë se Krishti. Ju, na keni dhuruar një vëlla, ai sot po ju dhuron një Kishë!
Shpeshherë, gjatë këtyre ditëve më keni thanë: tani të kemi vetëm ty! Po do të më keni! Por mos pritni të bëhem Lucjan. Më lejoni të jem Dodë, sepse do t'ju mjaftoj për ngushëllimin tuaj.

Vëlla i dashur, 
çka të them ty, që më ke përcjellë gjatë gjitha ditëve të jetës sime, me duresë, dashuri dhe respekt. Këtu po ndahen rrugët tona. Ti ja mbërrite cakut, e mua më le prapë shtegtar! Prandaj më duhet të them një fjalë falenderimi:

• Në radhë të parë, të falenderoj që ke ditë të jesh mik, mik në fe, mik në dashuri për kishën, mik në gatishmëri për sakrificë, mik në shërbim baritor, mik besnik i drejtë dhe i paanshëm. 
• Të falenderoj, për dëshminë e mirë që e ke lanë ngado që ke shku, për qortimet e që gjithnjë m’i ke përsëritur dhe për gjurmën e fesë që ke lanë në mua dhe në zemrën e të gjithë këtyre njerëzve që sot të rrethojnë.
• Të falenderoj, që gjithnjë më ke ndihumar të shuaj zemërimin, më ke frenuar për të ngadalësuar ngutinë, më ke ngushëlluar në dështime dhe më ke mbështetë në iniciativë.
• Të falenderoj që nuk u trondite kur të thashë, “se do të vdesësh”! Por prapë i fortë thoje: "nuk më dhimbset vetja por Kisha në Shqipëri". U baftë vullnesa e Zotit!

Vëlla i dashur, mos të dhimbset as vetja as Kisha në Shqipëri! ndoshta deri sa lëngoje në shtrat, s’ke pasë mundësi, por tani jam i sigurtë se sheh: që më shumë ke ungjillëzuar kur sëmundja të detyroj të heshtësh, se kur predikoje. Janë më të shumtë ata që të kanë përjetuar në fe sot, se sa kur ishe gjallë ndër ne. T'kam lakmi për këtë dashuri kaq të madhe që je duke përjetuar sot, si nga qielli ashtu edhe nga toka. 
Ti verbrisht me ke besuar, sepse gjithnjë të kam thanë të vërteten. Këndej më duhet të rrëfej se pa të pyetur, ta dhashë Kryqin e Kraharorit tim që ta marrësh me vete dhe ta mora kryqin e Kraharorit tënd. Krishti ka qenë ai që na ka miqësuar dhe e ka rritë miqësinë tonë , kështu me shkëmbimin e kryqave "një pjesë e imja do të varroset me ty por edhe një pjesë e jotja do të jetoj në mua”.
Tani pusho në paqe! E lutu për ne!

Vau-Dejes , me 25 maj 2016








All the contents on this site are copyrighted ©.