2016-05-25 14:34:00

Françesku: nuk eliminohet vuajtja, duke vrarë atë që vuan


Duhet të mbrojmë një shkencë, që u shërben njerëzve e nuk zëvendëson seleksionimin natyror. Ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për pjesëmarrësit e Konferencës së organizuar në Poliklinikën Gemelli në Romë, me temë “Ta mbrojmë jetën: azili perinatal, përgjigje shkencore, etike e njerëzore për diagnozën prenatale”.

Fjala është për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave të fëmijëve, që kanë ndonjë të metë fizike apo mendore, vënë në dukje nga diagnoza e fetusit, para lindjes. Azili perinatal ka të bëjë me kujdesin për gruan shtatzënë kur ajo ndodhet në periudhën nga java e 28-të e shtatzanisë deri në ditën e 28-të pas lindjes së fëmijës. Pikërisht në këtë periudhë mund të ndërhyhet me efikasitet e shkencërisht për të zgjidhur problemet e fëmijës, duke iu kundërvënë rezultatit të diagnozës para lindjes, që shpesh u sugjeron grave masa ekstreme si aborti.

Papa Françesku i fton mjekët të impenjohen për ta zbatuar planin e Zotit për jetën, “duke e mbrojtur me guxim e dashuri, me stilin e afërsisë e të pranisë, duke u distancuar nga kultura e hedhurinave, që propozon vetëm rrugë vdekjeje, me mendimin se zhduket vuajtja nëse vritet ai që vuan”. Ati i Shenjtë uron të hapen horizonte të reja në fushën e shërbimit ndaj njeriut e të përparimit të mjekësisë, duke pasur gjithnjë si pikë referimi vlerat e pavdekshme humane dhe kristiane”, me dashuri maksimale për fëmijën me patologji të rënda.

Në fjalën e tij në konferencë, asistenti kishtar i përgjithshëm i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, imzot Claudio Giuliodori nënvizoi se azili (Hospice) perinatal i Poliklinikës Gemelli synon t’i japë përgjigje presionit, që ushtrojnë mbi njerëzimin njohuritë e reja shkencore e sidomos teknologjitë riprodhuese gjithnjë e më të rafinuara, që nxisin kërkimin e fëmijës me çdo kusht, pa respekt për dinjitetin e gruas e sidomos, për të drejtat e fëmijës, i cili konsiderohet thjesht produkt biologjik, për t’iu nënshtruar përzgjedhjes sipas cilësisë, siç ndodh me mallrat e konsumit. E pikërisht sepse barazohet me një produkt, njerëzit mendojnë se mund të bëjnë ç’të duan me fetusin. “Justifikohen kështu – theksoi imzot Giuliodori – fekondimi në epruvetë, krijimi i embrioneve në laborator dhe ngrirja e tyre, përzgjedhja e embrioneve, ndërprerja e shtatzanisë për çfarëdo arsye e për dyshimin më të vogël, shpesh të pabazuar, se mund të ketë ndërlikime”. “Njeriu – vijoi denoncimin e tij imzot Giuliodori – e ka zëvendësuar Zotin, duke u bërë zot dhe padron i jetës e duke vendosur, sipas modës së çastit, kush ka të drejtë të jetojë e kush jo, pa pyetur më gjatë nëse është mirë apo keq, e drejtë apo e padrejtë, e vërtetë apo e rreme”.

Kjo gjendje, ngriti zërin asistenti kishtar i Universitetit Katolik, e bën të pambrojtur jo vetëm fëmijën në bark të nënës, por edhe prindërit e tij, sidomos kur ndodhen para një sistemi shëndetësor, që nuk i ndihmon ata, të cilët kanë vendosur ta mbajnë fëmijën, pavarësisht se i sëmurë, por u propozon si zgjidhje vetëm abortin. “Habia dhe mrekullia para jetës që lind – përfundoi imzot Giuliodori – nuk mund të zhduken para ndonjë problemi, që mund të dalë. Mos vallë mendojmë se gjatë gjithë jetës nuk do të paraqiten vështirësi e të papritura, sëmundje të rënda e, edhe vdekje? Askush nuk merr përsipër ta vrasë tjetrin vetëm sepse ka probleme, përkundrazi, përpiqet ta ndihmojë si mundet më mirë”. Ajo “zgjidhje terapeutike”, që shpesh e propozojnë mjekët për fëmijët e palindur, nuk bën tjetër veçse shton probleme, sepse aborti lë gjithnjë pas boshllëk e plagë të hapura.








All the contents on this site are copyrighted ©.