2016-05-24 11:25:00

Takimi Papë-Imami i Madh i Al-Azharit. Tauran: edukimi, çelësi i dialogut


“Impenjimi i përbashkët i autoriteteve dhe i besimtarëve të feve të mëdha për paqen në botë, refuzimi i dhunës dhe i terrorizmit, gjendja e të krishterëve dhe mbrojtja e tyre në zonat e konfliktit e të tensionit në Lindjen e Mesme”: këto janë disa nga temat, për të cilat folën dje në Vatikan, në takimin e tyre historik, Papa Françesku dhe shehu Ahmad Muhammad al-Tayyib. Imami i Madh i Al-Azharit u prit edhe nga kryetari i  Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, të cilin e intervistuam pas takimit:

U zhvillua në një atmosferë miqësie të madhe. Nuk u fol për të kaluarën, por për të tashmen e për të ardhmen. Ekziston dëshira e gjallë nga ana e partnerëve tanë të rifillojmë dialogun. E nëse “do të ringjallet” Komisioni i vitit 1998, mendoj se do të shtohen edhe kontaktet. Pra, qe arritje e bukur, e më duhet të them se personalisht, nuk prisja kaq shumë.

U fol për impenjimin e përbashkët të autoriteteve dhe të besimtarëve të feve të mëdha për paqen në botë, për refuzimin e dhunës dhe të terrorizmit…

Sigurisht, janë gjëra të përbashkëta. Jemi krejtësisht të vetëdijshëm se takimi qe mesazh i qartë si për myslimanët, ashtu edhe për të krishterët, sidomos për ata të Lindjes së Mesme. U fol për nevojën e dialogut dhe për domosdoshmërinë e kapërcimit të injorancës. Sipas nesh, edhe universiteti i Al-Azharit, që formon imamët sunitë, transmeton nevojën e bashkimit të të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të mos ekzistojë më një shoqëri, ku dhuna të hyjë në të gjithë sektorët e jetës. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi se nuk mund të jemi të lumtur pa njëri-tjetrin e aq më pak, njëri kundër tjetrit.

Viteve të fundit, pas krimeve të shëmtuara të Shtetit Islamik dhe të ekstermizmit mysliman, a nuk ka rrezik të keqësohen marrëdhëniet ndërfetare?

Gjëja e parë për të cilën duhet të gjejmë zgjidhje është injoranca. Shumë të krishterë kanë frikë nga myslimanët, por nuk i kanë takuar kurrë e s’e kanë hapur kurrë Kuranin. E njëjta gjë ndodh edhe për palën myslimane, e cila nuk është e vetëdijshme sa duhet për përmbajtjen e Ungjillit. Kjo gjendje plot kundërshti është thirrje për besimtarët të jenë gjithnjë e më koherentë me fenë e tyre. Terrorizmi i ka dobësuar shumë përpjekjet tona: kjo s’mund të mohohet. Por na ka nxitur ta kuptojmë edhe më mirë rëndësinë e kulturës dhe të edukimit: ndoshta, ky është çelësi për të ardhmen.

Gjatë bisedimeve u fol edhe për fjalimin e Papës Benedikti në Regensburg, mollë sherri me myslimanët?

Absolutisht jo! Nuk u fol për të kaluarën. Kjo është dëshirë e përbashkët: të fillojmë një kapitull të ri. Ekziston mundësia për ta rinisur punën e Komisionit të vitit 1998, në mënyrë që të kemi gjithnjë një kanal të hapur, ku të kalojnë informacione, nisma, etj.. Pra, diçka mjaft konkrete. Shpresojmë që vullneti i mirë e mirëkuptimi të fitojnë mbi brutalitetin dhe terrorin.








All the contents on this site are copyrighted ©.