2016-05-20 15:01:00

Papa, Milanit dhe Juventusit: dëshmoni vlerat e vërteta të sportit


Të jeni dëshmitarë të vlerave të vërteta të sportit. Kjo qe këshilla e Papës Françesku në takimin me futbollistët, drejtuesit dhe teknikët e skuadrave italiane të Juventusit e të Milanit, që nesër do të luajnë finalen e Kupës së Italisë në Stadiumin Olimpik të Romës. Së bashku me ta, edhe përfaqësues të Ligës Kombëtare të serisë A. Ati i Shenjtë i inkurajoi ta kthejnë futbollin në mesazh pozitiv për krejt shoqërinë.

Suksesi i skuadrës vjen nga harmonizimi i aftësive me vlerat

Futbollistët janë të thirrur të sillen në mënyrë të tillë që në ta të pasqyrohen “cilësitë njerëzore të atletëve, të impenjuar për të dëshmuar vlerat e vërteta të sportit”.  Kështu tha Papa, duke theksuar rëndësinë e lojës në skuadër për arritjen e sukseseve si në sport, ashtu edhe në jetë:

“Suksesi i një skuadre, në fakt, është rezultati i shumë virtyteve njerëzore: harmonia, besnikëria, aftësia për miqësi e dialog, solidariteti… Është fjala për vlera shpirtërore, që kthehen në vlera sportive. Duke zbatuar në jetë këto cilësi morale, ju mund ta vini edhe më shumë në dukje qëllimin e vërtetë të sportit, që nganjëherë, karakterizohet edhe nga fenomene negative”.

Kampionë në sport, por më parë, në jetë

Para se të jetë atlet, vijoi Papa, futbollisti është njeri, me të metat e virtytet e tij, por sidomos me ndërgjegje, e cila, theksoi Ati i Shenjtë, “shpresoj të jetë gjithnjë e shndritur nga marrëdhëniet me Zotin”.  Prandaj, vëllazërimi, respekti i ndërsjelltë, mirëkuptimi e falja, këshilloi Françesku, të mos mungojnë kurrë e njeriu të jetë në harmoni me sportistin:

“Qofshi kampionë në sport, por sidomos, kampionë në jetë! Ekzaltojeni gjithnjë ç’është vërtet e mirë dhe e bukur, përmes dëshmisë së çiltër të vlerave, që duhet ta karakterizojnë sportin autentik; e mos kini frikë t’ia tregoni me qetësi dhe ekuilibër botës së admiruesve tuaj, parimet morale dhe fetare, që keni dëshirë të frymëzojnë jetën tuaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.