2016-05-19 14:17:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ruta


Vijojmë të flasim, në rubrikën tonë të së enjtes, për një nga veprat e mëshirës: “jepu për të ngrënë të uriturve”. Javën e kaluar dhamë shembullin e vejushës së Sareptës, që na mësoi se është Zoti ai, që vendos si dhe kur duhet ta kryejmë këtë vepër. Sot do të shohim historinë e Rutës, që na tregon se veprat e mëshirës duhet t’i vemë në zbatim menjëherë, pa i lënë për të nesërmen, sepse nuk e dimë ç’ka në plan Hyji. Mundësinë që Ai i Lumi na e jep duhet ta shfrytëzojmë pa pritur më gjatë. Por ja historia…

Noemi pati lindur në fshatin e vogël të Betlehemit e një ditë prej ditësh, pati ikur së bashku me të shoqin, emigrante në tokën e Moabit, për shkak të zisë së bukës. Kur i vdiqën burri dhe dy djemtë, mendoi të kthehej në tokën e lindjes. Noemi u nda me nuset, duke u thënë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, sepse s’mund t’i mbante. Por Ruta nuk deshi ta linte vetëm e dy gratë u vunë për udhë. Mbërritën në Betlehem në kohën e korrjes së elbit, kur fusha ishte e gjitha një festë ngjyrash e erërash të mira.

Ruta ishte e huaj për banorët e askush nuk e njihte, por përveshi mëngët e punoi që ajo dhe Noemi të kishin ç’të hanin. Duhej të gjente një mënyrë për të mbijetuar e në ato kohë, pa burra në shtëpi, nuk ishte e lehtë. Kështu, kur mori vesh se tradita hebraike i lejonte ata, që s’kishin asgjë, të mblidhnin kallëzat që linin pas korrësit, i kërkoi Noemit të shkonte për të mbledhur elbin në fushë. Ndodhi që fusha të ishte e një farë Boozi. Ndërsa Ruta punonte nën diellin përvëlues, Boozi e sheh se ishte grua e hijshme, e kupton se ishte edhe e ndershme e, siç thotë Midrashi hebraik (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt), mendoi: “Të gjitha gratë përkulen për të mbledhur kallëzat, ndërsa kjo i mbledh ulur; të gjitha gratë e ngrenë fustanin për të grumbulluar aty kallëzat, ndërsa kjo e ul; të gjitha të tjerat qeshin me korrësit, ndërsa kjo nuk bën zë e rri anash e jo në mesin e tyre; të gjitha të tjerat i marrin kallëzat nga duajt, ndërsa kjo merr nga elbi për të varfërit, merr dy kallëza e jo më shumë se dy” (Rut R.4). Kështu u takuan Ruta dhe Boozi. Ai ishte hebre, pronar, i pasur; ajo, e huaj, vejushë dhe e varfër, me fytyrën plot djersë. Por për sytë e Boozit ajo grua kishte hir të veçantë, prandaj i ofroi diçka për të ngrënë: “Eja këtu, ha pak bukë e ngjyeje kafshatën në uthull” (Rt 2,14).

Boozi kishte dëgjuar edhe historinë e Rutës. E vlerësonte faktin që ajo nuk e kishte lënë vetëm të vjehrrën e pavarësisht se ishte moabite, kishte ardhur bashkë me të në tokë të huaj. Boozi u tërhoqi vëmendjen edhe korrësve për sjelljen e tyre ndaj saj: “Le të mbledhë edhe ndërmjet duajve e mos ia ndaloni. Madje lërini edhe ju vetë t’ju bien kallinj edhe nga duajt që t’i mbledhë dhe mos ia ndaloni të mbledhë” (Rt 2,15-16). Kjo, sepse sidomos gratë trajtoheshin keq nga korrësit, kur vinin të mblidhnin kallëzat e të varfërve. E lumtur, Ruta u kthye në shtëpi plot me elb dhe me ushqimin, që i kishte dhënë Boozi. Noemi e kuptoi menjëherë që dikush e kishte ndihmuar, prandaj nga zemra e saj doli një “Qoftë bekuar ai që pati dhembshuri për ty” (Rt 2,19).

Në këtë rast, Boozi bëri një vepër mëshire, pasi ndihmoi atë, që kishte nevojë. Midrashi nënvizon se Boozi i dha shumë pak Rutës, me majën e gishtave. E megjithatë, në Bibël shkruhet se ajo hëngri, u ngop e teproi. Sipas interpretimit rabinik, kjo shpjegohet me madhështinë e Rutës, me faktin se ajo ishte grua e drejtë. “Më shumë se ç’bën pronari i shtëpisë me të varfërin, i varfëri bën me pronarin e shtëpisë” i pati thënë Ruta Noemit, duke e përmbysur krejtësisht perspektivën e kësaj vepre të mëshirës: “Jepu të hanë të uriturve”. Është i varfëri ai, që i bën mirë të pasurit, sepse i jep mundësinë ta shprehë dhembshurinë e tij.

Nga martesa e Rutës me Boozin do të lindë Mesia Mbret. Madje, Midrashi saktëson se Ruta e Boozi patën vetëm një marrëdhënie, pasi të nesërmen e martesës Boozi vdiq. E nëse nuk do të kishte qenë i gatshëm për të bërë mirë, kur iu paraqit rasti, nuk do të kishte pasur mundësinë për të qenë paraardhës i Mesisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.