2016-05-17 12:20:00

Papa: paratë dhe pushteti e njollosin Kishën, mjaft me ambicie


Rruga, që na tregon Jezusi, është ajo e shërbimit, por shpesh, në Kishë, kërkohet pushteti, paratë dhe kotësitë. Thirrje e fuqishme e Papës Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, ku nënvizoi se të krishterët duhet ta kapërcejnë tundimin e kësaj bote, që e përçan Kishën. Ati i Shenjtë kritikoi “ambiciozët” e paskrupullt, të gatshëm edhe për ta shtypur me këmbë tjetrin, për t’u ngjitur vetë lart.

Të krishterët ta kapërcejnë tundimin për pushtet

Papa Françesku mori shkas nga faqja ungjillore, në të cilën dishepujt grinden se kush ishte më i madh ndër ta. Edhe sot, kjo grindje, që vijon, e cënon dëshminë e Kishës. “Jezusi – vërejti Ati i Shenjtë – flet me gjuhën e përvuajtërisë, të vdekjes e të ringjalljes, ndërsa ata flasin me gjuhën e ambiciozëve: kush do të ngjitet më lart në pushtet?”. U tunduan nga kjo botë, por Jezusi ua ndryshon krejtësisht perspektivën, duke u thënë se më i madhi do të jetë shërbëtori i të gjithëve, i fundmi:

“Në rrugën, që na tregon Jezusi për të ecur përpara, shërbimi është norma. Më i madhi është ai, që shërben më shumë, që vihet më shumë në shërbim të të tjerëve, jo ai që mburret, që kërkon pushtet, para… kotësi, mendjemadhësi… Jo, këta nuk janë të mëdhenj. E kjo që ndodhi me apostujt, edhe me nënën e Gjonit e të Jakut, është histori, që ndodh çdo ditë në Kishë, në çdo bashkësi. ‘Ndër ne, kush është më i madh? Kush komandon?’…. Ambiciet! Në çdo bashkësi, në famulli o në institucione, ekziston gjithnjë kjo dëshirë për t’u ngjitur sa më lart, për të pasur pushtet”.

“Jo” thashethemeve, që e hedhin poshtë tjetrin për pushtet

Edhe në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, nga Letra e shën Jakut, paralajmërohen të krishterët të kenë kujdes nga pasioni për pushtet, nga zilitë e xhelozitë, që e shkatërrojnë tjetrin. E ky, nënvizoi Papa, është mesazh edhe për Kishën e sotme. Bota i ngre në qiell ata, që kanë më shumë pushtet për të komanduar, ndërsa Jezusi pohon se ka ardhur në këtë botë “për të shërbyer”, jo “për t’u shërbyer”:

“Kotësia, pushteti… E kur kam këtë dëshirë të botës për të pasur pushtet, për t’u shërbyer e jo për të shërbyer, nuk i kursej mënyrat për ta realizuar: thashethemet, i hedh poshtë të tjerët… Zilia dhe xhelozia ecin në këtë rrugë dhe shkatërrojnë. E këtë e dimë të gjithë. E kjo ndodh sot në çdo institucion të Kishës: famulli, kolegje, organizma të tjera, edhe në ipeshkvitë e ndryshme… kudo. Është dëshira për shpirtin e kësaj bote, që është shpirt i pasurisë, i kotësisë dhe i mendjemadhësisë”.

Shpirti i kësaj bote është armik i Zotit, e përçan Kishën

 Kur shenjtorët e mëdhenj thoshin se e ndjenin veten mëkatarë, kujtoi Papa Françesku, e bënin këtë, sepse e kishin kuptuar se shpirti i kësaj bote ishte brenda tyre dhe i nxiste drejt tundimeve. Askush nuk mund të thotë se nuk tundohet prej tij, se është plotësisht njeri i shenjtë dhe i pastër:

“Të gjithë ne tundohemi nga këto gjëra, kemi prirjen për ta shkatërruar tjetrin, që të ngjitemi më lart. Është tundim i kësaj bote, por e ndan dhe e përçan Kishën. Nuk është Shpirti i Jezusit! Le ta imagjinojmë skenën: Jezusi thotë fjalët e tij, ndërsa dishepujt thonë ‘jo, më mirë të mos e pyesim shumë, ecim përpara’, e kështu, dishepujt preferojnë më mirë të diskutojnë ndërmjet tyre se kush është më i madhi. Do të na bëjë mirë të mendojmë shpesh se e kemi parë këtë skenë në Kishë e të kujtohemi sa herë kemi bërë edhe ne kështu e, t’i lutemi Zotit të na shndrisë për të kuptuar se dashuria për botën, pra, për shpirtin e kësaj bote, na bën armiq të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.