Katedralja kushtuar Nënë Terezës në Prishtinë, jetoi dje disa çaste vërtet prekëse: u shugurua ipeshkëv meshtari kosovar, dom Rrok Gjonlleshaj, emëruar nga Papa kryeipeshkëv i ri i Tivarit në Malin e Zi. Ati i Shenjtë, pasi pranoi dorëheqjen e imzot Zef Gashit, për arsye të moshës, e emëroi në detyrën e kryeipeshkvit meshtarin, që deri tani ka qenë famullitar në kishën e Shna’Ndout në Prishtinë. I pranishëm në kremtim, kryeredaktori i Programit Shqip pranë Radio Vatikanit, dom David Gjugja. Për hollësira, të ndjekim shërbimin e Mrika Ibrajt:
Don Rrok Gjonlleshaj lindi më 10 shkurt 1961 në Velezhë, territor i Administraturës Apostolike të Prizrenit. Pasi përfundoi formimin shkollor në vendlindje, vijoi me studimet filozofike dhe teologjike në Seminarin e Rijekës, në Kroaci. U shugurua meshtar në vitin 1987 e më pas, shërbeu në shumë famulli, së pari si vikar e pastaj si famullitar. Ishte edhe drejtor i Radio Marisë, emitentes katolike lokale dhe bashkëpunëtor me revistën fetaro-kulturore “Drita”.
Deri në emërimin e ri, ishte famullitar i kishës së Shna’Ndout në Prishtinë e njëkohësisht, kryente edhe detyrën e ekonomit të Administraturës Apostolike të Prizrenit. Sot nisi detyrën e re e të rëndësishme të kryeipeshkvit të Tivarit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |