2016-05-11 14:28:00

Papa lutet për Brazilin. Atë Chiera: kriza godet më të varfërit


Në përfundim të audiencës, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme besimtarëve brazilianë, duke uruar që Brazili, në këtë çast të vështirë, të mund të ecë në shtigjet e harmonisë e të paqes, me ndihmën e lutjes e të dialogut”.

E sot Dhoma e Ulët e Kongresit të Brazilit miratoi nisjen e procedurave për paditjen e Presidentes së vendit, Dilma Russeff, me akuzën se  manipuloi llogaritë e qeverisë. Kampi pro paditjes së Russeff-it fitoi lehtësisht dy të tretat e votave në sallë pas një debati të gjatë. Tashmë, ky mocion do të dërgohet në Dhomën e Lartë të Kongresit, në Senat, i cili pritet ta pezullojë nga detyra presidenten Russeff, ndërsa zhvillohet gjyqi.
Vetë Russeff i mohon akuzat dhe pohon se kundërshtarët e saj po organizojnë një grusht shteti. Partia e Punëtorëve, nga e cila doli Russeff, bëri me dije, pas votës, se tani beteja do të vazhdojë në Senat, i cili pritet ta shqyrtojë këtë çështje në muajin maj. Krizë institucionale shumë e rëndë, që godet posaçërisht të varfërit, pohon, në mikrofonin tonë, Atë Renato Chiera:

Përgjigje: - Në Brazil ka krizë politike, por edhe krizë të përgjithshme, në të gjitha nivelet: moral, fetar… e kjo ta shtje frikën. Kriza politike është pasojë. Çfarë po ndodh? Të varfërit, që filluan të jenë subjekte, edhe me kufizimet e tyre - unë nuk absolutizoj asnjë qeveri - tani kanë frikë: frikë se do të humbasin edhe ato pak fitore, që u arritën. Që tani po shikojnë shenjat e një papunësie të madhe, të braktisjes në nivelin edukativ e të braktisjes në nivelin shoqëror… E ne, që punojmë në periferi të periferive, me të fundmit, e ndjejmë se jemi krejtësisht të braktisur. Ka shumë dhunë, shumë trafik droge, shumë drogë e njerëzit, të lodhur e të këputur, nuk e dinë më ç’duhet të bëjnë. Besojnë se mund t’i japin fund dhunës, me dhunë. Në katër vjet  numërohen 230 mijë vetë të vrarë, shumica të rinj.  Ipeshkvijtë po e ngrenë fort zërin, duke i bërë thirrje qeverisë t’i shikojë të varfërit, që popullata të mos tmerrohet nga ardhmëria e të mos mbetet pa asnjë shpresë.








All the contents on this site are copyrighted ©.