2016-05-10 15:20:00

Nga Pavioni i Selisë së Shenjtë në Expo, fonde për refugjatët në Jordani


Sipas dëshirës së Papës Françesku, fondet e mbledhura nga pavioni i Selisë së Shenjtë në Expo Milano 2015 do të shkojnë për një projekt, që do të krijojë vende pune për refugjatët sirianë dhe irakianë në Jordani. Me të do të merret Karitasi i vendit, i cili ka vënë në dispozicion Qendrën e Shën Marisë së Paqes në Aman. Shifra e destinuar për këtë projekt është 150 mijë dollarë, ofruar lirisht nga vizitorët e pavionit. Nesër, do të shkojë në Aman, zv.Sekretari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, imzot Tejado Munjos, i cili do të qëndrojë aty deri më 13 maj për të përuruar dhe ndjekur projektin. Kujtojmë se imzot Tejado ka qenë drejtor i Karitasit të Shqipërisë.

Në Jordani ndodhen aktualisht rreth 130 mijë refugjatë irakianë dhe mëse 1 milion e 300 mijë sirianë. Shumë prej tyre përpiqen të jetojnë me dinjitet, por tregu vendas nuk u jep shumë mundësi për punë. Me anë të këtij projekti do t’u jepet punë 15 refugjatëve, të cilët do të punojnë në prodhimin e konservave dhe në kultivimin e shitjen e vajit dhe të perimeve.Gjithashtu, do të ketë formim profesional për 200 irakianë, ndërsa, përmes punës stinore, do të ndihmohen rreth 500 irakianë në vit.








All the contents on this site are copyrighted ©.