2016-05-05 14:35:00

Kryeipeshkvi i Sirakuzës: Papa i paraqet Marisë, dhimbjen e njerëzimit


Të shumtë, besimtarët e Sirakuzës, ardhur nga Sicilia për Mbrëmjen e lutjes me Papën, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e relikuarit me lotët e Zojës së Sirakuzës. Në krye të tyre, kryeipeshkvi i qytetit, imzot Salvatore Pappalardo, të cilin e intervistuam për domethënien e kësaj nisme:

Papa deshi një mbrëmje lutjeje pikërisht për të fshirë lotët, lotët e shumtë të njerëzve, prandaj, prania e relikuarit do të thotë prani e Zojës, afër secilit prej nesh, që jemi bijtë e saj. Gjithnjë është pranë nesh Zoja në çastet e vështirësive më të mëdha, të shqetësimeve…nga Qielli, ajo merr pjesë në lavdinë e Birit të saj, i mbledh lotët tona dhe ia paraqet Krishtit. Para se të nisesha, një person më tha: “Nëse e takon Papën, i thuaj se kam nevojë për lutjen e tij, sepse vuajtjet e mia janë të shumta”. Pra, Papa çon para Zojës së Lotëve dhimbjet dhe shpresat e njerëzve.

Cila është historia e Zojës së Lotëve?

Në vitin 1953, në një shtëpi të Sirakuzës, në një familje, nga një kuadër prej allçie, që pasqyronte Zemrën e Papërlyer të Zojës, filluan të dalin lot. Kuadri ishte varur mbi shtratin e një nuseje të re, e cila pati një shtatzani të vështirë. Më 29 gusht i iku edhe shikimi, i cili iu kthye në mëngjesin e së nesërmes, për të parë lotët, që i rridhnin shën Marisë nëpër faqe. Fenomeni u përsërit 58 herë gjatë katër ditëve. Një pjesë e këtyre lotëve u mblodhën dhe u çuan për analiza: rezultati tregoi se ato ishin lot njerëzorë. Përveç kësaj ngjarjeje, aty ka pasur edhe hire të veçanta, shërime, shtegtarë të shumtë erdhën në Sirakuzë. E gjithë kjo u shqyrtua nga ipeshkvi i atëhershëm, imzot Ettore Baranzini, i cili i shkroi një relacion si ipeshkvijve të tjerë të Sicilisë, ashtu edhe Selisë së Shenjtë. Ipeshkvijtë u prononcuan njëzëri, duke e deklaruar ngjarjen si të jashtëzakonshme, si diçka të mbinatyrshme. Kërkuan që të ndërtohej edhe një tempull, një kishë, për të kujtuar lotët e Zojës. Për gëzimin e madh tonin, kishën e shuguroi Papa shenjt Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në vitin 1994. Sot, shenjtërorja e Sirakuzës është vend lutjeje, ku shtegtarë nga anë e anës vijnë të ndalen para një basorelievi të vogël, që ruhet aty, e për t’i vënë tek këmbët e Zojës, ngushëllim i të mjeruarve, vuajtjet e travajët e tyre, dëshirat dhe shpresat.

Kujtojmë se një vit pasi ipeshkvijtë e Sicilisë u prononcuan për mrekullinë, në Sicili pati shkuar Papa Piu XII, për të marrë pjesë në një kuvendim marian. Ja si foli pas takimit me Zojën e Lotëve, në një radiomesazh, transmetuar nga Radio Vatikani:

“A do ta kuptojnë njerëzit gjuhën e mistershme të këtyre lotëve? Oh, lotët e Marisë! Në Golgotë, ishin lot dhembshurie për Jezusin e saj e lot trishtimi për mëkatet e botës. A qan Ajo, akoma, për plagët e reja në Korpin mistik të Krishtit? Apo qan për bijtë e shumtë, në të cilët gabimi dhe faji e kanë shuar jetën e hirit, duke e fyer rëndë Madhështinë hyjnore? Apo janë lot, që presin kthimin e vonuar të bijve të tjerë të saj, dikur besimtarë e tani, të tërhequr nga mirazhe të rreme?” (Papa Piu XII, 17 tetor 1954). Pyetje, të vlefshme edhe sot e kësaj dite.








All the contents on this site are copyrighted ©.