2016-05-04 13:47:00

Françesku: ose jemi të krishterë zemërhapur e vëllazëror, ose na vjen era myk


“Hapini portat! Zoti ndodhet atje, ku dëshiron Ai vetë”! Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan,  Papa Françesku  u kujtoi të krishterëve se duhet të ruhen nga rreziku i mbylljes në një vathë, ku nuk bie fare erë deleje. Ne, të krishterët - theksoi Papa gjatë takimit të tij të përjavshëm me besimtarë nga të katër anët e botës - nuk duhet të mbyllemi, nëse nuk duam, pastaj, të kemi duhmën e sendeve të mbyllura. Duhet të dalim! Të dalim nga mbyllja në famulli, në bashkësinë e vogël, ne, ndër thonjëza, të drejtët, në strategjitë tona. Bariu - shtoi - do të ndodhet gjithnjë atje, ku mund ta gjejë delen e humbur.  

Zoti i do të gjithë, nuk hedh poshtë asnjërin, pohoi Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, duke komentuar shëmbëlltyrën e deles së humbur. Për Jezusin - sqaroi - nuk ka asnjë dele të humbur, që nuk mund të gjindet. Kështu të krishterët nuk duhet të mbyllen në vetvete, nëse nuk duan t’u vijë era myk.

Figura e Bariut të Mirë, që e ngarkon mbi shpatulla delen e humbur, është ikonë e kujdesit të Jezusit për mëkatarët dhe e mëshirës së Hyjit. Bariu është i vetmi protagonist e gjithçka varet nga Ai. Zoti - pohoi Papa Françesku - e kërkon delen e humbur, i kërkon bijtë e humbur:

“Shkon ta kërkojë delen, sepse secila është njëlloj e rëndësishme para syve të Tij. E kjo është më nevojtarja, më e braktisura, më e flakura tutje; e Ai shkon ta kërkojë”.

Mëshira është stili i Zotit

Mëshira për mëkatarët është stili me të cilin vepron Zoti. Ai i Lumi - tha Papa - nuk do që të humbasë asnjë njeri:

“Zoti nuk e njeh kulturën tonë të hedhurinës, kjo nuk ka të bëjë fare me Të. Zoti nuk e flak tutje asnjë njeri; Zoti i do të gjithë, i kërkon të gjithë…Të gjithë! Një për një. Ai nuk di t’i trajtojë njerëzit si hedhurina, sepse është i tëri dashuri, i tëri mëshirë”.

Zoti është pranë deles së humbur

Populli i Zotit është gjithnjë për udhë. Ndërsa bariu kërkon delen e  humbur, 99 të tjerat marrin pjesë në bashkimin e grigjës. Bariu - shtoi -   ndodhet gjithnjë atje, ku mund ta gjejë delen e humbur:

“Prandaj Zoti duhet kërkuar ku dëshiron të gjindet Ai vetë, jo ku mendojmë ne se mund ta gjejmë. Ku është mëshira, atje është edhe Zoti. Madje Zoti i nxit delet të marrin pjesë në bashkimin e grigjës”.

E atëhere jo vetëm delja e mbartur mbi shpatulla, por e tërë grigja e ndjek bariun në shtëpinë e tij, për të bërë festë me miq e dashamirë.

Atje ku nuk ka vëllazërim, vjen era myk

Duhet të mendojmë shpesh për këtë shëmbëlltyrë - porositi Papa - sepse në bashkësinë e krishterë nuk mungon kurrë ndonjë i humbur, që e ka lënë bosh vendin e vet. Nganjëherë kjo është çkurajuese, na shtyn ta shikojmë këtë humbje si të pashmangëshme, si sëmundje të pa derman, e atëherë  rrezikohemi të mbyllemi brenda vathës:  

“Nuk duhet të mbyllemi, sepse atëhere do të kemi duhmën e sendeve të mbyllura, do të na vijë era myk”.

Zoti i kërkon të gjithë njerëzit

Rreziku i erës së mykut – shtoi Papa – ndjehet fort atje, ku mungon hovi misionar, që na nxit të takohemi me të tjerët. Për Zotin, asnjëri nuk është i humbur, pa shpresë për t’u gjetur përsëri:

“Kurrë! Deri në çastin e fundit, Zoti vijon të kërkojë. Mendoni për hajdutin e mirë; në vizionin e Jezusit askush nuk është përfundimisht i humbur e, prandaj, edhe duhet kërkuar, duhet gjetur”.

S’ka  rrugë aq të largët, që mund ta pengojë bariun të vihet në kërkim të deles së humbur; e s’ka grigjë, që mund të heqë dorë nga një vëlla. Ta gjejë të humburin është gëzimi më i madh për bariun e për Zotin, por edhe gëzimi më i madh për gjithë grigjën.








All the contents on this site are copyrighted ©.