2016-05-03 16:32:00

Imzot Massafra: për takimin me Papën e mbledhjen e Këshillit të Konferencave ipeshkëvnore evropiane


Një ditë pas takimit me Papën Françesku, anëtarët e presidencës së Këshillit të Konferencave Ipeshkëvnore të Evropës, mbajtën një konferencë shtypi në sallën Markoni të Radio Vatikanit. Ndër relatorët ishte presidenti i organizmit, kardinali Péter Erdò, e dy zëvendës presidentët kardinali Angelo Bagnaso dhe imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit.

Papa inkurajon ipeshkvijtë evropianë në përballimin e sfidave që sot janë gjithnjë e më urgjente për Kontinentin e Vjetër. Kështu tha mes tjerash kardinali Erdò. Ati i Shenjtë Bergoglio e inkurajon  Kishën evropiane në veprimtarinë e saj në ndihmë të emigrantëve, të të varfërve e të të mënjanuarve. Evropa – sipas Papës – duhet t'i gjejë rrënjët e veta të krishtera. Misioni ynë është të bëjmë që të mos harrohet kjo e vërtetë, sepse krishterimi është forcë jetike dhe për Evropën  është emërtim i përbashkët i kulturave të popujve të veçantë që formojnë Kontinentin e Vjetër.

Popujt e Evropës duhet të pajtohen, shtoi kardinali hungarez Erdò. E lidhur me sfidat që ka Evropa , pohoi kardinali, duhet të gjenden përgjigje të krishtera ndaj problemeve dhe nevojave që kanë njerëzit.

Imzot Angelo Massafra foli për gëzimin e madh të Kishës dhe të popullsisë shqiptare për Beatifikimin e 38 martirëve shqiptarë të kohës së regjimit komunist, për çka Papa Françesku ka firmosur dekretin më 26 prillin e kaluar, e po kështu edhe për Kanonizimin e Nënë Terezës më 4 shtator të ardhshëm, bijë e popullit dhe tokës shqiptare.

Në mikrofonin e dom David Gjugjës, imzot Massafra flet hollësisht për takimin me Papa Françeskun dhe takimin e presidencës së Këshillit të Konferencave Ipeshkëvnore të Evropës që zhvillohet në Romë nga 1 deri më 4 maj, ta dëgjojmë...








All the contents on this site are copyrighted ©.