2016-05-02 14:25:00

Siri. Ipeshkvinjtë e Halebit: marrim pjesë në Mundimet e Krishtit


“Ne jemi bijtë e Ringjalljes, bijtë e Shpresës, e besojmë thellësisht se këto vuajtje nuk do të shkojnë kot: sipas shembullit të shenjtorëve e të martirëve, i bashkojmë me Mundimet e Krishtit, që të bëhen vuajtje të shenjta e shenjtëruese, për paqen në Siri e për shpëtimin e qytetit tonë”. Kështu shkruajnë ipeshkvijtë katolikë të Halebit, në një mesazh për besimtarët vendas, por edhe për të gjithë popullsinë e qytetit martir sirian, i cili po bombardohet si kurrë ndonjëherë, si në lagjet e kontrolluara nga qeveria, ashtu edhe aty ku janë vendosur milicitë rebele. Është goditur edhe një spital i administruar nga organizata “Mjekët pa kufij”.

I lartohet Zotit britma e gjakut të fëmijëve e të martirëve

Në një mesazh, dërguar edhe agjencisë katolike Fides, ipeshkvijtë e Halebit i drejtohen “ndërgjegjes së atyre, që planifikojnë dhe e kryejnë luftën”, duke iu përgjëruar me zë të lartë: “Mjaft!”, për “dashuri të Zotit” e “për mëshirë ndaj njerëzve”, për “hir të gjakut të fëmijëve dhe të martirëve, që lartohet deri tek Hyji” e “për hir të lotëve të nënave në zi”.

Vështrimi i krishterë mbi vuajtjet e vëllezërve në fe

Në zjarrin e vdekjes e të dhunës, që ka përfshirë Halebin, ipeshkvijtë katolikë e shohin me dhembshuri të krishterë vuajtjen e vëllezërve në fe dhe të të gjithë bashkëatdhetarëve, larg nga qëndrimi i interesuar i atyre, që përdorin vuajtjet e të krishterëve si armë për beteja ideologjike, ose si pretekst për mobilizime e fushata kulturoro-politike.

Ipeshkvijtë ia kushtojnë sërish Halebin Zemrës së Papërlyer të Zojës

Ipeshkvijtë e Halebit i ftojnë të gjithë të mos bien në trishtim e në dëshpërim dhe vënë në pah se duke marrë pjesë në Mundimet e Krishtit, të krishterët e Halebit i tregojnë gjithë botës si mishërohet në histori misteri i shëlbimit, kumtuar nga Ungjilli. Ky, nënvizojnë ipeshkvijtë në komunikatën e tyre, “është kuptimi më i rëndësishëm i qëndrimit tonë në Haleb”. Për këtë arsye, barinjtë e qytetit martir sirian ia kushtojnë sërish Halebin Zemrës së Papërlyer të Zojës, e cila, në dukjet e saj në Fatima, e pati kërkuar këtë për gjithë botën, në mënyrë që të vendoset paqja.

Në muajin e majit, Rruzarja për paqen në Siri

Në veçanti, në muajin e majit, që i kushtohet Marisë, ipeshkvijtë u kërkojnë katolikëve të luten, sidomos të thonë Rruzaren me këtë ndjet: “kthehu e besoji Zotit e, duke u përgjëruar për ndërhyrjen e shën Marisë Virgjër, Mbretëreshë e Paqes, ta vemë vendin tonë, Sirinë dhe qytetin e Halebit, nën mbrojtjen e saj”. Në asamblenë e ipeshkvijve katolikë të Halebit marrin pjesë një kryeipeshkëv siro-katolik, një greko-melkit, një maronit, një armen katolik, ipeshkvi kaldeas dhe një françeskan, vikar apostolik i katolikëve të ritit latin.








All the contents on this site are copyrighted ©.