2016-05-02 13:43:00

Imzot Warduni: në Irak, gjithnjë e më keq. Bota, indiferente


Së paku 31 të vdekur në atentatin e dyfishtë të djeshëm, në Samawah, qytet me shumicë shiite në jug të Bagdadit. Shpërthimi i të dyja bombave është vepër e Isis. Sipas OKB-së, gjatë muajit prill, në Irak, janë vrarë së paku 741 vetë, ndërsa gjatë marsit, numri i viktimave ka arritur në 1119. Shifra të frikshme e megjithatë, duket sikur gjendja në Irak nuk e shqetëson më bashkësinë ndërkombëtare. Ipeshkvi ndihmës i Bagdadit të kaldeasve, imzot Shlemon Warduni, bën këtë denoncim në intervistën telefonike me Radio Vatikanin:

O ndodh diçka vërtet e rëndë e atëherë flitet për të, o nuk flitet fare. Gjendja në Irak – e kemi thënë gjithmonë – vazhdon të keqësohet: sapo zgjidhim një problem, del menjëherë një tjetër, më i madh. Po shkojmë poshtë, gjithnjë e më teposhtë e tani erdhi edhe Isis. Kemi kërkuar gjithnjë ndihmë, duke i bërë thirrje Evropës, Amerikës, Kombeve të Bashkuara, duke iu përgjëruar të veprojnë së bashku e të bëjnë diçka për ne, ta ndalin luftën… ‘Ju i keni mundësitë, ju lutemi. Ju mundeni!”: kjo ka qenë britma jonë!

Kisha denoncon edhe një sërë interesash, që fshihen pas kësaj dhune…

Çështja ka të bëjë vetëm me interesat: me armët! Nëse Evropa, Amerika dhe organizatat ndërkombëtare nuk do t’u shisnin armë këtyre njerëzve, lufta do të mbaronte! Vendet e mëdha, ku përqendrohet pushteti… këto duan të shesin vetëm armë e mendojnë veç për interesat e tyre.E pastaj, kemi të tjerët, që nuk kanë ndërgjegje, që thonë se veprojnë “në emër të Zotit”, por kjo s’është e vërtetë – janë gënjeshtra, të gjitha! -  sepse Zoti nuk është tjetër veçse dashuri, nuk do tjetër veçse të mirën e njeriut… Ndërsa, këta njerëz i hedhin benzinë zjarrit! Këta njerëz hedhin bomba! E kur shpërthejnë, siç ndodhi në Samawah, bëjnë namin: ka shumë, jashtëzakonisht shumë atentate, por nuk përmenden! E ne jemi lodhur duke folur, duke bërtitur, duke kërkuar!

Kisha në Irak është e martirizuar. A arrin t’u jap pak shpresë njerëzve, në mesin e njëmijë vështirësive?

 Popullsia e ka humbur besimin gati krejtësisht, por, megjithatë, Kisha po bën ç’është e mundur për ta ndihmuar. Për shembull, ne të Karitasit, herë pas here, u paraqesim një projekt të ri donatorëve, të cilët i falenderojmë me gjithë zemër e lutemi për ta, sepse po bëjnë shumë për ne, me frymë bamirësie e dashurie të krishterë. E çfarë mund të bëjë Kisha? Ne përpiqemi të flasim kudo, të kërkojmë ndihmë… Në të vërtetë, ndihmat nuk mungojnë, duke filluar që nga Ati i Shenjtë deri tek më të fundmit: tek të krishterët e shkretë, që mundohen t’u bëjnë mirë të tjerëve, për t’i thënë Jezusit: ‘Ja, të kemi shërbyer në këta vëllezërit më të vegjël”.








All the contents on this site are copyrighted ©.