2016-05-01 18:43:00

Sot Kishat e Lindjes kremtuan Pashkët. Urimi i Papës


Nësa jemi ende në atmosferën e Pashkëve, e pikërisht në të Dielën VI, Kishat lindore e kremtuan sot Solemnitetin e Ngjalljes së Zotit. Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku u drejtoi një urim të përzemërt vëllezërve ortodoksë, në festë:

“Mendimi im i përzemërt shkon tek vëllezërit tanë të Kishave të Lindjes, që i kremtojnë sot Pashkët. Zoti i ngjallur u dhëntë të gjithëve dhuratat e dritës së Tij e të paqes së Tij. Christos anesti!”.

Edhe besimtarët ortodoksë shqiptarë e kremtuan  sot festën e Ngjalljes së Krishtit. Në mesnatë, në të gjitha kishat ortodokse u kremtuan Meshë Shenjte, me pjesëmarrjen e një mori qytetarësh. Ishte kulmi i Javës së Shenjtë. Posaçërisht në katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë ishin mbledhur qindra besimtarë, të cilët ndoqën nga afër Meshën, kremtuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos. Kryepeshkopi u drejtoi një mesazh urimi të gjithë besimtarëve, që e ndiqnin Meshën me qirinj të ndezur në duar, duke uruar njëri-tjetrin. Në përfundim e morën nga kisha dritën e Zotit dhe e çuan në shtëpinë e tyre, për më shumë mbarësi.  

 Pashkët kremtojnë ngjalljen e Jezusit. Prej këndej, shkëmbimi i përshëndetjes: “Krishti u ngjall! Vertet u ngjall!”.

Redaksia e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe bashkon zërin  me atë të Papës Françesku, në urimin: “Gëzuar Pashkët, vëllezër ortodoksë! Urojmë që së shpejti t’i kremtojmë gjithë bashkë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.