2016-04-30 18:01:00

Papa për 1 Maj: të punosh është veti e njeriut


Sot, 1 maj, janë në program manifestime të shumta për festën e punës, në mbarë botën. Edhe Papa e kujton 1 majin. Në një tweet, Françesku shkruan: “Të punosh është veti e njeriut: shpreh dinjitetin e tij si krijesë e bërë sipas shëmbëllimit të Zotit”. Papunësia është fatkeqësi, që prek rëndë të gjitha kontinentet, e prej disa vitesh, ndjehet fort edhe në Evropë, ku është tejet e lartë. Në zonën euro, në mars, të papunët ishin 10,2%, e dhënë kjo, në rënie nga viti 2012, por megjithatë, ende tepër e lartë.

Papunësia është në rënie në mbarë Evropën, por mundësia që kanë njerëzit për të gjetur punë, mbetet gjithnjë mjaft e ligshtë. E tregojnë faktet. Janë në kërkim të punës 16,4 milionë njerëz. Italia është në fund të klasifikimit. Ndërmjet 28 vendeve të BE-së, vetëm Kroacia (55.8%) e Greqia (50,8%),  kanë një përqindje punësimi më të ulët se Italia, që ndalet tek 56,3%, Shqetësuese, papunësia në radhët e të rinjve. Godet 1/3 të moshave 15 deri në 24 vjeç; tri vjet pas diplomimit, punon vetëm 57% e të rinjve.

Atëherë të rinjtë detyrohen të largohen nga vendet tyre e të kërkojnë fatin gjetiu. Kështu shumë vende evropiane humbasin ajkën e trurit, që mund t’u sillte përparim e begati. T’i lësh të rinjtë në kërkim të punës, të marrin arratinë nga trojet e veta e të mos tregosh kurrfarë shqetësimi, është padrejtësi ndaj tyre e verbëri ndaj ardhmërisë së vendeve, që mbeten pa forcën kryesore lëvizëse. Po punësimi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin, me kujdesin e klasës drejtuese për t’i hapur rrugë të reja këtij zhvillimi, në përkim me vetë natyrën dhe mundësitë e vendeve të ndryshme. Atje ku ka hemorragji të forcave të reja, nuk ka zhvillim e ardhmëria premton pak e aspak. E festa e 1 majit, siç na kujton tweet-i i Papës, i gjen shumë njerëz pa punë, pra, pa dinjitet. Papunësia është fatkeqësi, që prek rëndë mbarë Evropën e në të, thellësisht Shqipërinë, ku një mori qytetarësh jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike, sepse nuk gjejnë punë. Kësaj i shtohet edhe mungesa e plotë  e kujdesit për t’i mbledhur në atdhe trurin e krahët e punës, të formuar në botën perëndimore. Vështirë të gjesh të dhëna të sakta e të freskëta për përqindjen e punësimit të shqiptarëve. Ndërsa është më lehtë t’i gjesh këto të dhëna për të huajtë, kryesisht italianë e turq, që gjejnë punë atje, ku vendasit e kanë të pamundur. Kosova kalon kohë edhe më të vështira! 1 Maj i zymtë, ky, për punëtorët bashkatdhetarë, të cilët vijojnë të largohen nga trojet e veta për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Të papunë në atdhe, kërkojnë një jetë më të mirë në vise të huaja.








All the contents on this site are copyrighted ©.