2016-04-29 17:26:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.

Jezusi është duke përfunduar misionin që Ati ia ka besuar e po kthehet tek Ai, por nuk na lë të vetëm. Ai na ka premtuar dhuratën e Shpirtit, dhuratën që duhet ta meritojmë me lutje të përditshme e me dëshmimin e një jete vërtetë të denjë për atë që beson në ringjalljen dhe në Zotin e jo në gjëra tokësore e ka vendosur shpresën e vet.

Liturgjia e kësaj së diele të gjashtë të Pashkëve na përgatit për kremtimin e ardhshëm të të Shëlbuemit, do të thotë të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. E Jezusi personalisht e përgatit Kishën e tij për të jetuar pa praninë e tij të dukshme, pa prezencën e tij fizike, por me plot bindje për praninë e tij reale.

Është një situatë e re, në të cilën duhet të mësohen jo vetëm dishepujt që e kanë pa, dëgjuar, prekur, ndjekur Jezusin, por edhe ne që duhet të besojmë se është Ai që në sakramente pagëzon, krezmon, falë, shenjtëron. Kjo bindje në prezencën/mungesën e  tij është dhuratë e Shpirtit Shenjt që na udhëheq në njohjen/eksperiencën e Tij.

Në këtë të Diele të Gjashtë të Pashkëve, pra, leximet biblike fillojnë të tregojnë jetën e komunitetit të parë të krishterë, do të thotë veprimtarinë e Kishës së parë në kohën e apostujve. Asambleja apo Koncili i parë që apostujt mbajtën në Jerusalem, përballë problemeve të të krishterëve të ardhur e të konvertuar nga paganizmi, i sheh dishepujt dhe pleqtë, të cilët vendosin nën frymëzimin dhe ndikimin e veprës së Shpirtit Shenjt Zot, të mos u imponohen më paganëve të konvertuar në fenë e Krishtit ato detyrime që konsideroheshin të domosdoshme, siç ishin për shembull ligjet e Judenjve, ndër to edhe rrethprerja.

Tema kryesore e Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele është dhurata e Krishtit të Gjallë: paqja e Shpirti Shenjt. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 14,23-29) Jezusi thotë: “Nuk ju lë jetima”- Jetimi është imazhi më i dhimshëm i vetmisë së njeriut. E vetmia është e keqja që na heq paqen e zemrës, që than e shteron të qenurit njerëzor. Shkatërron.

Megjithatë Jezusi ka premtuar se do mbetët gjithmonë me ne dhe na ka dërguar Shpirtin Shenjt, Ngushëlluesin. E pastaj Jezusi shton: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ia do të vijmë dhe tek ai do të banojmë”. Fryti i këtij banimi të Hyjit në ne është paqja: “ Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Nuk po jua jap siç jua jep bota”. Ja tema e fjalës së Zotit që liturgjia na propozon këtë të diele: të jetosh sipas Ungjillit. Sepse ky është vullneti i Zotit, e vetmja dhe e mira më e madhe e njeriut është të gjejë në vullnetin e Zotit paqjen dhe lumturinë e jetës.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 15, 1-2.22-29

Koncili i Jeruzalemit shënon një datë vendimtare në historinë e Kishës: deklarohet ndarja nga judaizmi dhe hapja ndaj botës pagane.  Apostujt pohojnë: nëse paganët janë thirrur drejt shpëtimit është vullneti i Hyjit, për këtë askush nuk duhet të pengojë kthimin e paganëve drejt krishtërimit.  Nga ana tjetër Koncili u kërkon paganëve të kthyer të mos ofendojnë hebrenjtë që ndihen të lidhur nga disa tradita. 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni.” U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen. Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan Juda që quhet Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezër. Për duar të tyre u dërguan këtë letër: “Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit, vëllezërvet të kthyer prej paganëve në Antioki, në Siri, e në Cilici, përshëndetje!

Pasi morëm vesh se disa prej tanëve, por pa lejën tonë, erdhën dhe ju trazuan me disa fjalë duke ua shqetësuar shpirtin, ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë  të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruhemi prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.”

Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

 

Psalmi 67

Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

 

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

 

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

 

Leximi i dytë Zb 21, 10-14.22-23

Gjoni paraqet Kishën si Jeruzalemin e ri, që me përvujtëri dhe lodhje ecën përgjatë shekujve në pritje për të shkëlqyer në lavdinë e Hyjit Atë dhe të Krishtit të ringjallur.  Por, që tani, të krishterët janë thirrur për të vendosur themelet e qytetit të ardhshëm që shkëlqen nga drita e Hyjit.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor. Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer. Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Sheshi i qytetit – ar i kulluar, i tejpashëm porsi kristali. Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji. 

Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë. 

Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 14, 23-29

Pasi ka premtuar paqen e tij, Krishti u premton apostujve dërgimin e Shpirtit Shenjt.  Shpirti i është dhuruar Kishës për të realizuar fjalën e Krishtit dhe për të dëshmuar Ungjillin. Në bindje ndaj dashurisë së Krishtit pas mundimeve të tij, Kisha është e mbështetur nga veprimi i Shpirtit dhe zbulon gëzimin e Zotit të ringjallur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë.”        

Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

 

E tani ta dëgjojmë komentin apo homelinë nga dom Gjergj Meta.......

Homelia e dielës së 6-të të Pashkëve “C”

Te dashur vellezer motra, ja përsëri gjendemi në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit, këtë herë do të meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 6-të të kohës kishtare të Pashkëve, ciklit të tretë (“C”). Kështu dalëngadalë po afrohen dy kremtime te rendesishme per jeten e Kishes dhe per jeten tone shpirterore: Ngjitja e Krishtit ne qiell apo sikurse quhet ndryshe te Shqiptarët, të Shelbuemit dhe Rrëshajët. Këto solemnitete na paraqesin dy mistere te jetes se Krishtit dhe te jetes se Kishes. Te pergatitemi t'i jetojme keto dy festa te rendesishme me deshiren per te thelluar gjithnje e me shume misterin e Zoterise se ngjallur i cili ngjitet te Ati nga ku edhe ka ardhur, dhe dhuraten e pare qe Krishti i ringjallur u ben besimtareve, Shpirtin e Shenjte ndihmes dhe ngushellues.

 Po çfarë kane per te na thene leximet e kesaj te Diele VI-të te Pashkeve? Sikurse ne te djelat pararendese leximi i pare (Vap 15,1-2.22-29) na tregon per jeten e bashkesive te para te krishtera, per gezimin e madh te shpalljes se Ungjillit, por edhe per veshtiresite qe dishepujt dhe keto bashkesi hasin per shkak te Ungjillit. Kjo pjese e Veprave te Apostujve na flet per mbledhjen e apostujve ne Jeruzalem per te vendosur mbi kushtet qe duhet t'u vinin atyre qe pranonin Ungjillin, por qe nuk ishin judenj. Disa prej farisenjve qe kishin pranuar Ungjillin pretendonin se ata duhet te zbatonin te gjithe ligjin e Moisiut perfshire ketu edhe rrethprerjen. Por nuk eshte i ketij mendimi Pali dhe Barnaba qe shkojne dhe takohen me Pjetrin Apostull dhe dishepujt e tjere ne Jeruzalem. E atehere te gjithe bashke vendosin qe paganet perveç disa rregullave, nuk duhet te zbatonin gjithçka qe vinte prej Ligjit te Moisiut.

Shihet qarte ketu se si shqetesimi kryesor i dishepujve ishte qe Fjala e Zotit te shkonte sa me larg, por nga ana tjeter edhe shqetesimi qe ndryshimet te vinin ne menyre sa me te pershkallezuar. Ata tregohen mjaft te arsyeshem. Eshte e rendesishme per ne sot ne rradhe te pare te jemi te vetedijshem se vetem ne lidhjen e ngushte me hierarkine Kishtare dhe mesimet e Kishes eshte e mundur te ecim ne rruge te sigurte. Nga njera ane hierarkia duhet te jetoje me Shpirtin e Shenjte e nga ana tjeter te gjithe neve na takon detyra qe t'i bindemi Kishes. Por gjithashtu ky lexim na fton qe mos të ngurtesohemi ne rregullat e jashtme qe shpeshere kthehen ne rregulla farizenjsh dhe mbysin krejtesisht lirshmerine e Shpirtit te Zotit brenda secilit prej nesh.

Kisha eshte trupi i Krishtit dhe ai banon ne te. Kete na e thote edhe leximi i dyte (Zb 21,10-14.22-23)kur na pershkruan Jeruzalemin qiellor. Ai eshte Jeruzalemi, mbreteria qe do te jete, por e cila ka filluar ekzistimin e saj qysh tani. Se pari ne zemren e atyre qe kane pranuar Sakramnetin e madh te Pagezimit e me pas ne te gjithe Kishen. Muret e tempullit te Jeruzalemit zhduken. Nuk ka me tempull, sepse tempulli eshte vete Zoti.

Ky tempull qe ndodhet ne mes te qytetit ndrit gjithe qytetin i cili nuk ka me nevoje per diten e diellit e as per driten e henes. Kjo drite vjen nga brenda, nga thellesia e jetes se Kishes. Zoti eshte drite e ne te nuk ka erresire. Kisha jeton me driten qe i vjen nga Krishti. Cdo burim tjeter drite nuk mund te ndricoje jeten e Kishes. Sa here qe Kisha behet e forte, jo nepermjet Krishtit, por nepermjet gjerave te tjera, zbehet dhe fishket. Keshtu edhe jeta e njeriut qe mendon se shkelqimi mund t'i vije nga jashte dhe jo nga Zoti qe banon brenda tij, heret a vone do te gjendet ne erresire. Zoti eshte drita jone.

Te dashur vellezer e motra. Mos te harrojme se dinjiteti yne eshte shume i madh, thirrja qe kemi marre nepermjet pagezimit eshte shume e larte. Nepermjet pagezimit Zoti na ka bere si nje qytet te themeluar mbi shkemb e eshte ulur te banoje aty. Ne nuk mund ta perdhosim kete qytet, por edhe ne qofte se ka ndodhur nuk eshte kurre vone te kthehemi, nuk eshte kurre vone.

Per te kuptuar se sa e madhe eshte lartesia e thirrjes sone te degjojme ungjillin e Gjonit te kesaj te diele: “Nese dikush me do, zbaton fjalen time dhe Ati im do ta doje e ne do te do te vijme e do te banojme te ai”. Eshte nje e vertete e madhe. Krishti ka ardhur nje here ne jeten e njerezve me misherimin e tij “Ai u be njeri dhe e banoje ne mes nesh”. Por nese ne e duam ai na premton se zbret perseri, tashme ne jeten tone konkrete, ne brendine e jetes sone, ne intimitetin e jetes sone, ne thellesine me te thelle te jetes sone. Nese dikush e do dhe zbaton fjalen e tij...! Vetem ai ka fjalet e jetes se pasosur. Kudo te shkojme ne, askush nuk do te na thote fjalet si i thote ai dhe me ndikimin qe kane fjalet e tij. Cfare ndodh kur Zoti banon ne zemren e nje njeriu? Mrekullia! Perseritet edhe nje here mrekullia e shnderrimit te ujit ne vere, e shnderrimit te dobesise sone ne forcen e tij. Por ka edhe me shume. Duke banuar ne ne ai na jep paqen. “Po ju le paqen, po ju jap paqen time. Jo ashtu si e jep bota, ne jua jap juve (Paqen)”.

Paqja e Krishtit eshte nje paqe e vecante. Eshte paqja e mesise, ku femija shtjen doren ne strofullen e gjarperinjeve, ku luani flen bashke me qengjin. Ne kete menyre eshte e mundur qe ne te jetojme urdherin e ri te dashurise qe kemi medituar te djelen e shkuar. A eshte e mundur kjo gje? Ai na thote se po. E na fotn qe te mos trembet zemra jone dhe te mos kete frike. E verteta eshte se ne trembemi. Kemi frike per te ardhmen, kemi frike nga vetvetja nga te tjeret. Gjithnje priremi drejt strukjes ne ndonje kend te vetvetes. Por ai na thote: “Mos t'ju trembet zemra!”. E ne e dime se sa e brishte eshte zemra jone. Por ai na perserit: “Mos t'ju trembet zemra!”

 Të dashur miq! T'ia hapim perseri zemren Zotit. Ajo mund te jete renduar shume keto kohet e fundit sepse e ngaterruar ne shume pune, probleme, frike, pakenaqesi, ngaterresa. Ajo mund te jete e copetuar sepse e tradhetuar apo e zhgenjyer, sepse ka humbur njeriun e dashur, prindin apo femijen. Ajo mund te jete e ngurtesuar sepse eshte plot me vetveten dhe me egon njerezore, sepse gjerat nuk kane shkuar sipas planeve te mia. E vertete! Kjo eshte pervoja njerezore dhe te gjithe e ndjejme qe shpesh per fat te keq eshte ashtu. Por Ai ka mundesi ta riperetije zemren tone me dashurine e tij te pafund. Vetem na fton qe t'ja hapin zemren. Ai deshiron te ndertoje nje banese ne zemren tone, nje qytet, ku te jete vete prijesi i tij, mbreti dhe dhenderri i zemres sone. E Krishti kur hyn ne jeten e nje njeriu nuk e ngushton ate, nuk e ben te pajetueshme hapesiren tone shpirterore, madje e ripertrin dhe i jep jete. Krishti nuk heq asgje nga jeta jone, ai na jep gjithcka.

 Para nisjes se tij ai u ben edhe nje premtim dishepujve te tij: “...Shpirti i Shenjte qe Ati do te dergoje ne emrin tim, ai do t'ju mesoje gjithcka dhe do t'ju kujtoje gjithcka qe une ku kam thene”. Te kerkojme me kembengulje ne ditet ne vijim ardhjen e Shpirtit te Shenjte ne jeten tone dhe ne jeten e Kishes sidomos ne keto dite qe Ati i Shenjte eshte ne Ameriken Latine per te udhehequr Konferencen e Ipeshkevinjeve te atij kontinenti. Ta shoqerojme me lutjen tone dhe afersine tone. Veni creator Spiritus! Eja o Shpirt krijues! Amen!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.