Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Imzot Auza. Sadizëm sistematik e mizori kundër të krishterëve

Dëshpërimi i të krishterëve irakianë - RV

29/04/2016 13:58

“Të mbrohen liria fetare dhe të gjitha të drejtat e njeriut. Të marrë fund mizoria kundër të krishterëve dhe besimtarëve të tjerë”: ky, titulli i kuvëndimit mbajtur dje në OKB-në e New York-ut, organizuar nga misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me shoqatat “CitizensGo”, “MasLibres” dhe “In defence of christians”.

Kur dinjiteti i njeriut trajtohet me gjithë përbuzjen e mundshme, siç po ndodh në ditët tona, bota duhet të bëhet bashkësi globale, në të cilën secili nga ne duhet të shquhet për solidaritet e flijim, në mbrojtje, ndihmë e dashuri konkrete për të afërmin. Kryeipeshkvi Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, skicoi një kuadër zonash nëpër botë, në të cilat të krishterët dhe pakicat e tjera fetare vuajnë persekutime e mizori të pashembullta, që nga Lindja e Mesme e deri në vendet më të humbura afrikane.

Fjalimi i Papës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së 

Imzot Auza kujtoi porositë e Papës Françesku, në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, dhënë përfaqësuesve të kombeve, mbledhur për ta dëgjuar, më 25 shtatorin e kaluar. Në këtë takim të madh, kujtoi imzot Auza, Papa Françesku u ndal fort në gjendjen e të krishterëve dhe të pakicave etnike në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në vende të tjera afrikane, duke kujtuar dhunën e urrejtjen, shkatërrimin e vendeve të kultit, të trashëgimisë kulturore e fetare e të shtëpive, jetën e rrezikura, gjë që e vë njeriun para alternativës për të zgjedhur ndërmjet jetës në skllavëri, ose emigracionit. E jehoi fuqishëm - vijoi të kujtojë imzot Auza -  thirrja e Papës për përgjegjësi, ashtu siç pati kërkuar edhe më 9 gusht 2014, në letrën për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së:

         “Jo vetëm në rastet e persekutimit fetar apo kulturor, por në çdo gjendje konflikti, si në Ukrainë, në Siri, në Irak, në Libi, në Sudanin e Jugut e në rajonin e Liqeneve të Mëdha, para interesave të veçanta, edhe kur janë të ligjshme, duhet menduar për fytyrat konkrete. Në luftra e në konflikte ka njerëz, vëllezër e motra, burra e gra, të rinj e të moshuar, fëmijë, që derdhin lot, vuajnë e vdesin. Njerëz, që shndërrohen në hedhurina, ndërsa s’bëhet tjetër, veçse numërohen problemet, strategjitë e diskutimet”.

Sadizëm sistematik kundër të krishterëve e pakicave

Duke i bërë jehonë fjalës së Françeskut, imzot Auza kërkoi që kush ka përgjegjësi për gjithë këtë mjerim, në bashkësinë ndërkombëtare, ta shqyrtojë mirë ndërgjegjen e të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë fund çdo tipi të dhunës, e edhe për të parandaluar konfliktet e reja të mundshme kundër pakicave fetare e etnike. Imzot Auza u bëri thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë ta luajë secili rolin e tij, duke u radhitur përkrah fëmijëve e pleqve, burrave e grave, nënave e baballarëve, përkrah miliona qenieve njerëzore, viktima të sadizmit sistematik të atyre, që torturojnë, skllavërojnë, dhunojnë e vrasin të pafajshmit.

29/04/2016 13:58