2016-04-28 14:08:00

Vatikan, raporti vjetor i AIF-it: në vitin 2015, marrëveshja me Shqipërinë


Konferencë për gazetarët, sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, për paraqitjen e Raportit Vjetor të Autoritetit të Informacionit Financiar (AIF) mbi veprimtarinë e informacionit dhe të mbikqyrjes për parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Kreu i AIF-it, René Brülhart dhe drejtori i organizmit, Tommaso Di Ruzza, sollën të dhëna, që përfshijnë vitin 2015.

         Megjithatë, duke bërë krahasime me vitet e mëparshme, funksionarët nxorrën në pah se gjatë 3 viteve të kaluara, AIF-i ka trajtuar 893 sinjalizime të dyshimta, jo sepse janë rritur veprimtaritë e paligjshme, por për shkak të faktorëve të tjerë si: procedura e mbylljes së marrëdhënieve, që nuk përkonin me ligjin vatikanas e me politikën e enteve mbikqyrëse; monitorizimi i veprimtarisë së personave, që bënin pjesë në programet e bashkëpunimit vullnetar për çështje fiskale, filluar nga shtete të tjera; si edhe, në përgjithësi, përforcimi i sistemeve të sinjalizimit e të mbikqyrjes”.

         Gjatë vitit 2015, i janë dërguar 17 raporte Promotorit të Drejtësisë në Vatikan për hetime të tjera gjyqësore, ndërsa bashkëpunimi i AIF-it me Autoritete të ngjashme jashtë Vatikanit është rritur nga 4 raste në vitin 2012, në 380 raste në vitin 2015. Është zvogëluar ndërkaq, hyrje-dalja e parave “cash” nga Vatikani, për shkak të kontrolleve më të mëdha.

         Viti 2015 është karakterizuar nga zbatimi efektiv i kuadrit ligjor të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Vatikanit. Gjithashtu, është rritur bashkëpunimi ndërkombëtar i AIF-it me simotrat e saj në botë kundër veprimtarive financiare të paligjshme. “Zbatimi i plotë i Rregullores n. 1 ka treguar efektivitetin e kuadrit ligjor të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Vatikanit – pohoi presidenti i AIF-it, René Brülhart. Bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet impenjim kyç i Autoritetit. Janë nënshkruar Protokolle me Autoritetet përkatëse të jurisdiksioneve të tjera dhe është rritur ndjeshëm shkëmbimi i informacionit në nivelin dypalësh”. Në vitin 2015, AIF ka nënshkruar marrëveshje edhe me Shqipërinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.